Boris Johnson dhe Rishi Sunak kanë zhvilluar një takim të fshehtë ndërsa afrohet afati për të shpallur hyrjen e tyre zyrtare në betejën pw tw pasur Liz Truss . Dy burime të veçanta konfirmuan për BBC se takimi u zhvillua, por asnjëri nga kampet nuk zbuloi se çfarë u diskutua gjatë tij.
Sido që të jetë, Rishi Sunak po ecën përpara i padiskutueshëm, pasi tashmë ka marrw mbështetjen e 128 deputetëve. Ekipi i tij po përpiqet të sigurojë mbështetjen e sa më shumë deputetëve të jetë e mundur për të detyruar Boris Johnson të largohet. Përpjekje të dëshpëruara po bëhen për të marrw mbështetjen për Sunak, kryesisht sepse shumë besojnë se ai do të simbolizonte stabilitetin në tregjet financiare dhe do të reduktonte shanset për rritje të mëtejshme të normave të interesit dhe hipotekave.
Boris Johnson është në vendin e dytë me 53 mbështetës zyrtarë. Megjithatë, bashkëpunëtorët e tij të afërt thanë se ai së shpejti do të sigurojë mbështetjen e 100 deputetëve. Numri i kërkuar për të hyrë zyrtarisht në garë. Por, figura të larta konservatore janë angazhuar në një fushatë të ashpër për të parandaluar kthimin e Boris Johnson në Downing Street , duke argumentuar se ai do të shkaktonte dëme të mëtejshme si për ekonominë ashtu edhe për vendin, si dhe për partinë Konservatore. Në veçanti, ish-ministrat që mbështesin Sunak thanë se kthimi i Johnson do të trondiste tregjet financiare, duke rritur rrezikun e rritjes së mëtejshme të mprehtë të normave të interesit nga Banka e Anglisë. Edhe ish-redaktori i Daily TelegraphCharles Moore, një mik i ngushtë i Johnson, i kërkoi atij të mos kandidonte, duke thënë se ishte shumë herët për t’u kthyer.
Megjithatë, vetëm 204 nga 357 deputetët konservatorë kanë njoftuar aktualisht qëllimet e tyre. Pjesa tjetër nuk e kanë sqaruar ende se çfarë qëndrimi do të mbajnë dhe kë do të mbështesin. Kandidatët kanë afat deri në orën 14:00 të së hënës për të kaluar në fazën tjetër të procesit.
Madje kishte zëra se Johnson mund të përfundonte duke mbështetur Sunak duke u tërhequr. Nëse deputetët e partisë mbështesin vetëm një kandidat, kryeministri i ri mund të shpallet deri të hënën pasdite.
Por nëse jo, votimi online nga anëtarët e partisë Konservatore do të vazhdojë, me rezultatin që do të shpallet të premten.
Sondazhi tregon se Johnson, i cili u kthye nga pushimet në Karaibe për të shqyrtuar opsionet e tij, do të ishte favorit për të fituar votën e anëtarëve.
Përkundrazi, në një sondazh të UGov, Rishi Sunak shfaqet si një zëvendësues më i përshtatshëm për Truss me një përqindje prej 43% kundrejt 34% të Boris Johnson. E treta në renditjen e preferencës vjen Penny Mordant me një përqindje prej 26%. Ish-sekretarja e Mbrojtjes dhe Tregtisë Penny Mordant njoftoi të premten se edhe ajo synon të kandidojë për udhëheqjen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
“Jam inkurajuar nga mbështetja e kolegëve që duan një fillim të ri, një parti të bashkuar dhe një lidership që do t’i shërbejë interesit kombëtar. Unë jam duke kandiduar për udhëheqjen e Partisë Konservatore dhe Kryeministër – për të bashkuar vendin tonë, për të përmbushur premtimet tona dhe për të fituar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme”, tha ajo në një postim në Twitter.