Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për skemat piramidale online, pasi ditën e djeshme, u arrestua edhe Ereledio Shebeku, 35-vjeç.
Sipas policisë, ai dyshohet si organizatori kryesor për zonën e Divjakës, në lidhje me organizimin e këtyre skemave, ndërsa në kërkim vijon të jetë partnerja e tij.
Ndërkohë, burime nga Policia bëjnë me dije se bazat kryesore të skemave piramidale nuk janë vetëm në Divjakë, por po hetohen nga Drejtoria e Krimit Kibernetik edhe grupe më të mëdha të skemave piramidale online, kryesisht në Tiranë, por edhe në Lezhë.
Këto grupe kanë mashtruar mijëra qytetarë, madje pre e mashtrimit kanë rënë edhe vetë efektivët e policisë.
Burime të besueshme i thanë A2CNN se; qindra efektivë policie të rolit bazë (inspektorë) në Tiranë por edhe në Lezhë, kanë rënë pre e mashtrimit të skemave piramidale online duke investuar para.