SKEMA/ Si kalonin paratë nga Ministria e Kulturës dhe Mirela Kumbaro, tek Ajola Xoxa

Në vendimin rreth 400 faqe të gjyqtarit Erjon Bani, tregohen me fakte dhe prova të gjitha institucionet që kanë bekuar me fonde kompanitë e Ajola Xoxës.

Një ndër këto institucione është edhe Ministria e Kulturës, e cila drejtohej nga Elva Margariti.

Në dosje rezulton që fondet publike në favor të OJF-ve kontrollohen faktikisht nga shtetasja Ajola Xoxa, ato nuk janë shpërndarë vetëm nga Bashkia Tiranë, por edhe institucione të tjera publike si Ministria e Kulturës po ashtu dhe Ministria e Turizmit, e cila drejtohet nga Mirela Kumbaro që nga viti 2021.

Kjo vlen për të kuptuar akoma më mirë mekanizmin e kalimit të të hollave nga Institucionet Publike tek OJF-të, prej tyre tek sh.p.k.-të dhe individët, të gjithë të kontrolluar, por edhe të lidhur ngushtë me shtetasen Ajola Xoxa dhe kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.

Lidhjet Ministria e Kulturës me OJF e Ajola Xoxës

Konkretisht, me vendimin date 23.12.2024 të prokurorit, “Për Këqyrje/marrjen e dokumenteve”, janë administruar pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit akte të cilat lidhen me:

1) Projektin “International Contemporary Dance Festival Tirana 2022”, ku përfshihen kontrata të lidhura, transaksione, pagesa e fatura.

2) Projektin “International Contemporary Dance Festival Tirana 2023”, ku përfshihen kontrata të lidhura, transaksione, pagesa e fatura.

3) Kontrata të lidhura ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe shoqërisë “Rametal” sh.p.k., ku përfshihen transaksione, pagesa e fatura.

 

Nga këqyrja e dokumentacionit të administruar në fashikullin penal, ka rezultuar se me anë të procesverbalit nr. 6446/5 datë 11.02.2022, Drejtoria e Konceptimit dhe Fizibilitetit të Projekteve të Kulturës, ka dokumentuar shqyrtimin e projekteve të paraqitura.

Ndër to, në subjektin me numër 44 në renditje, konstatohet Subjekti “HARABEL – QENDRA E ARTIT BASHKËKOHOR”, për projektin “Digjitalizimi i artit bashkëkohor në Shqipëri”, në shumën 1,000,000 lekë.

Në vijim, më datë 14.06.2022, është nënshkruar Kontrata për Mbështetje Financiare me Fonde Publike, Nr. 3260 Prot, datë 14.06.2022, me palë Ministria e Kulturës, e përfaqësuar nga Arian AVRAZI, Drejtor i Drejtorisë së Konceptimit dhe Fizibilitetit të Projekteve të Kulturës, sipas Urdhrit të Ministrit të Kulturës nr. 93 prot., datë 21.02.2022, dhe Driant ZENELI, në cilësinë e përfaqësuesit të Qendres “HARABEL”.

Në këtë kontratë përcaktohet vlera e financimit në shumën 1.000.000 lekë, në të cilën është përfshirë TVSH, komisionet bankare dhe të gjitha detyrimet fiskale apo detyrime të tjera që njeh legjislacioni shqiptar. Të dhënat e llogarisë bankare të individit përfitues tregojnë që bëhet fjalë për “HARABEL”.

“Nga këqyrja ka rezultuar se për këtë rast është nënshkruar Urdhër-Shpenzimi Nr. 468 datë 17.06.2022 i Ministrisë së Kulturës me të dhëna: Kreditor Përfitues: Qendra Harabel. Objekti i shpenzimit: Projekti: Digjitalizimi i artit bashkëkohor në Shqipëri, 60% sipas kontratës. Shuma në lekë: 600.000. Bashkëlidhur Fatura elektronike nr.6/2022 date 15.06.2022, Me Shitës: Qendra Harabel dhe Blerës: Ministria e Kulturës. Vlera: 600.000,00 lekë. 76. Me datë 15.09.2022 Balkan Youth Link Albania (BYL-A) në bashkëpunim me D18 Paris i drejtohet Ministrisë së Kulturës për zhvillimin e festivalit të kërcimitKRE “International Contemporary Dance Festival in Tirana”.

Me datë 31.10.2022, është nënshkruar Kontrata për Mbështetje Financiare me Fonde Publike, Nr.5801/6 Prot, datë 31.10.2022, me palë Ministria e Kulturës, e përfaqësuar nga Arian AVRAZI, Drejtor i Drejtorisë së Konceptimit dhe Fizibilitetit të Projekteve të Kulturës, dhe “Balkan Youth Link Albania” me Ina Goxhaj, përfaqësuese e Qendrës Drejtore Ekzekutive, në cilësinë e drejtuesit të projektit”, thuhet në dosjen hetimore.

Në këtë kontratë shpjegohet vlera e financimit në shumën 3.100.000 lekë, ku përfshihet TVSH, komisionet bankare dhe të gjitha detyrimet fiskale apo detyrime të tjera që njeh legjislacioni shqiptar. Pagesa do realizohet në 2 faza.

KOMUNIKIMET DHE DETAJET

Në faqen 1035 të komunikimeve rezulton se Adela njofton Ketrinën që leket e Ministrisë së Kulturës kanë kaluar te BYL-A dhe i thotë që të mbyllin pagesat të nesërmen.

Dorëzimi i lekëve tek shtetasja Ajola Xoxa nga OJF në fjalë provohen nga komunikimet e ndodhura në faqen 1050.

Shtetasja Adela Kondakçiu thotë: “Keti po për ato puantet nuk të ktheu me përgjigje ajo Alisa. Se une do t’ia dorëzoj cfare më ka mbetur Ajolës nesër”. Në fakt, përgjigjja e Alisës nuk pritet gjatë për pagesën e puanteve.

Në faqen 1063-1064, ndërsa Ketrina i thotë që po interesohet për puantet, Adela i përgjigjet se është vonë dhe shton: “Unë ja dorëzova Ajolës (lekët).” Në faqen 1065 Ketrina e pyet nëse mund t’ia merrte Xhoit (Skënderasi), por Adela i thotë se ajo nuk ka. Adela shton se duhet të flasë me Ajolën nëse është.

Nga këto komunikime rezulton e provuar se si fondet publike, të akorduara në këtë rast nga Ministria e Kulturës, fillimisht kalojnë në dy Organizata Jofitimprurëse nën kontrollin faktik të shtetases Ajola Xoxa.

Më pas, nga këto organizata fondet kalojnë te shtetasja Ajola Xoxa, “Arts Lab” sh.p.k. në pronësi ligjore të dajës së shtetases Ajola Xoxa (Erald Simixhiu), por në pronësi faktike të kësaj të fundit, tek shtetasi Valmir Xoxa, kushëri i afërt i shtetases Ajola Xoxa, dhe shtetasi Ergys Krisiko, njohje e afërt me shtetasen Ajola Xoxa.

Ministria e Turizmit

Kontrolli i plotë i shtetases Ajola Xoxa në çdo drejtim që lidhet me funksionimin e OJF-ve në fjalë, duke nisur që nga momenti i aplikimit për projekte në institucionet shtetërore, rezulton edhe nga komunikimet e faqe 1076.

Ketrina Braho i thotë Adelës: Më erdhi njoftimi nga Ajola të aplikojmë te Ministria e Turizmit. Adela i përgjigjet O zot i madh, duke shtuar se edhe Linda (Kazani) po aplikon. Po këtë herë, Adela i thotë Ketrinës se do merren vetë, pasi ato janë të tmerrshme.

Sipas të dhënave në vendimin e gjykatës rezulton që kompania “Harabel” e Ajola Xoxës është financuar nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Turizmit, dhe kontrollohet tërësisht nga Ajola Xoxa, bën pagesa në favor të “Ava Studio” shpk, në pronësi ligjore të nënës së saj.

KOMUNIKIMET DHE DETAJET PER MINISTRINE E TURIZMIT

 

Në faqen 1769 të komunikimeve, Adela Kondakçiu njofton Ketrina Brahon se lekët kaluan, si nga Bashkia Tiranë ashtu edhe nga Ministria e Turizmit.

Në faqen 997 Ketrina njoftohen nga Adela se lekët e Ministrisë së Turizmit kishin kaluar, duke shtuar se: të paktën 1 u mbyll. Gjithashtu, i kërkon të bëjë të nesërmen ndryshimet te KRK të letrave me kokë që kishin bërë gabim, në mënyrë që dosja të çohej të premten.

Në faqen 1211 nis një komunikim që lidhet me projektin që po bëjnë me Ministrinë e Turizmit.

Adela pyet se kur mbaron projekti, por Ketrina i thotë që as ka nisur akoma. Në lidhje me këtë projekt, Ketrina shprehet se duhet të përcaktojnë me Ajolën kush do të jenë personat dhe kompanitë të cilat do të marrin pagesat që në atë moment.

Në këtë faqe përmbahet edhe një screenshot i një mesazhi të shkëmbyer mes Ketrina Brahos dhe një personi të regjistruar në telefon si ‘Enkeleda Ministria e Turizmit’.

Ketrina i bën një pyetje në lidhje me raportimet nga pagesat e personave që janë në buxhet. Ketrina vijon duke i thënë nëse mund të jenë personat të stafit dhe i deklarojnë si pjesë rroge.

Personi i cili duket se punon në Ministrinë e Turizmit i përgjigjet: do pyes dhe do të them. Më pas, i njëjti person i thotë: Po, mund të jenë por duhet të sillni një bordero të firmosur dhe vulosur.

Në lidhje me zërat, Adela i thotë Ketrinës se do jenë për kurator dhe menaxher produksioni. Pra, është e qartë se dhe vendosja e zërave por edhe personat që supozohet do kryejnë shërbimet, të cilët vendosen nga pjesa e stafit të “Harabel”, janë fiktive.

Si “lidhet” Mirela Kumbaro me drejtorin ekzekutiv të Harabel të Ajola Xoxës, Driant Zenelin
Në vitin 2018, në kohën që Mirela Kumbaro drejtonte ministrinë e Kulturës, shprehte bindjen për përfaqësimin e Shqipërisë në Bienalen e Artit 2019 me projektin e Driant Zenelit, që ishte drejtues i një prej komapnive të Ajola Xoxës.

“E bindur për përfaqsimin dinjitoz të Shqipërisë në Bienalen e Artit 2019, me projektin e Driant Zenelit

Si komisioner i pavijonit shqiptar, ia besuam projektin e artit, që do të përfaqsojë Shqipërinë në ngjarjen më të madhe botërore të Artit, artistit Driant ZENELI, me projektin me titull

“Maybethe cosmos is not so extraordinary” – “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”.

Titulli merr shkas nga romani fantastiko-shkencor i autorit shqiptar Arion Hysenbegas, “Drejt Epsilonit të Eridanit”, i botuar në vitin 1983 (ribotuar i plotë në vitin 2018).

Drianti, i cili drejtoi me shumë sukses vitin e kaluar në Tiranë Bienalen e Mesdheut të Krijuesve të Rinj, ndërton skuadër me kuratoren Alicia KNOCK, kuratore në Qendrën e Artit Bashkekohor në Paris “Georges Pompidou”, në Departamentin e Artit Bashkëkohor, në Paris, të krijuar dhe drejtuar nga Christine MACEL.

Pas pesë edicioneve shumë të suksesshme,

në vijim të pavijoneve të realizuara nga artistë si Edi Hila e Adrian Paci, Armando Lulaj, Leonard Qylafi, por edhe nga arkitekte si Simon Battisti, apo skuadra energjike e arkitekteve te paviojnit #TiranaZeroSpace qe vijon te jete i hapur,

Shqipëria është e angazhuar të ndajë me publikun e kritikën ndërkombëtare pjesën e vet më të mirë: Artin dhe Kulturën.

Suksese me gjithë zemër Driantit në këtë sfidë të re të përbashkët në La Biennale di Venezia”, shkruante Mirela Kumbaro.

 

Pra duket qartë lidhja e ministres Kumbaro me njerëzit që punonin në kompanitë e Ajola Xoxës, në këtë rast Driant Zeneli, i cili rezulton të jetë drejtori i Harabel./Oranews


Shtuar 2.03.2025 15:57