Skema mashtrimi me viza amerikane, arrestohen pesë persona

Goditet aktiviteti kriminal në fushën e mashtrimit me viza amerikane dhe kontrabandimit të qenieve njerëzore. Pesë persona kanë rënë në pranga dhe një tjetër është arrestuar, pasi është zbuluar se falsifikonin formularët për pajisjen me viza amerikane kundrejt pagesës.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr.7018/2023 mbi bazën e informacionit të dërguar nga Shërbimi Diplomatik i Sigurisë pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, (DSS).

Sipas policisë, i dyshuari kryesor Renato Nasto, ka përfituar shuma deri në 10 mijë euro.

Lidhur me këtë aktivitet ende vazhdojnë hetimet për persona të tjerë fizikë dhe juridikë, apo subjekte të tjera të përfshira në këto skema mashtrimi me viza amerikane dhe kontrabandim të qenieve njerëzore.

Reagimi i Policisë:

Goditet një aktivitet kriminal në fushën e mashtrimit me viza amerikane dhe kontrabandimit të qenieve njerëzore.

Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet Njësisë Speciale të njohur si “Joint Shield”, në bashkepunim të ngushtë me partnerët e Departamentit të Shtetit, Agjencinë Federale të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike, Njësinë e Hetimeve Kriminale, me prezencë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara Tiranë dhe me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë përmbyllur fazën e parë të operacionit “THE ROGUE SON”, lidhur me hetimet për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në vijim të këtyre hetimeve, më datë 08.02.2024, janë arrestuar dhe vënë në ekzekutim 5 vendime gjykate për masat e sigurimit personal “Arrest në burg”, për gjashtë shtetas, si dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të dyshuar si të përfshirë në skema mashtrimi të aplikimeve dhe marrjeve të vizave amerikane, me dyshimin e dhënies ndihmë për kontrabandim të qenieve njerëzore.

Në disa raste i dyshuari kryesor, ka përfituar shuma prej 10 000 eurosh për premtimin dhe garantimin e lëshimit të vizave amerikane, për persona të ndryshëm, duke lehtësuar emigrimin e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, disa nga të dyshuarit kanë përdorur/paraqitur informacione dhe formularë me të dhëna të rreme, me qëllim për t’u kualifikuar për kategori të caktuara vizash amerikane.

Vazhdojnë hetimet për persona të tjerë fizikë dhe juridikë, apo subjekte të tjera të përfshira në këto skema mashtrimi me viza amerikane dhe kontrabandim të qenieve njerëzore.

Policia e Shtetit shqiptar përfiton sërish nga rasti të falënderojë partnerët e Agjencisë Ligjzbatuese Shërbimi Diplomatik i Sigurisë këtu në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre të ngushtë në këtë rast.

Njoftimi i Prokurorisë:

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË

Falsifikonin formularët për pajisjen me viza amerikane kundrejt pagesës, 6 nën akuzë nga Prokuroria Tiranë për ‘Mashtrim’ dhe ‘Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve’

Gjashtë persona po përballen me akuzën për ‘Mashtrim’ dhe ‘Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve’ të parashikuar nga nenet e Kodit Penal 143/2 dhe 190/2 nga Prokuroria e Tiranës, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin falsifikonin formularët për viza amerikane kundrejt pagesës.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr.7018/2023 mbi bazën e informacionit të dërguar nga Shërbimi Diplomatik i Sigurisë pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, (DSS).

Nga tërësia e veprimeve hetimore në funksion të këtij procedimi, rezulton se një prej ketyre shtetasve nëpërmjet adresës në rrjetin social ‘Istagram’, emrin “viza_amerikane_insider”, kishte vendosur postimin “viza Amerikane me garanci 100%. “Ne garantojmë pajisjen me viza Amerikane 10-vjeçare. Ju paguani vetëm pasi viza t’ju aprovohet. 0683318483”.

Shtetasi R.N., garantonte marrjen e vizës Amerikane turistike 10-vjeçare me ndërhyrjen e tij në Ambasadë kundrejt shumës 10.000 euro.

Gjithashtu, hetimet provuan se nje shtetas i falsifikonte të dhënat e formulareve elektronikë në aplikimin për vizë amerikane me të dhëna të rreme, që aplikanti për vizë të kishte një profil kualifikues.

Këtë gjë ai e bënte në bashkëpunim me aplikantin e vizës, sikundër janë aplikimet me shtetasit K.P., K.K., K. L., Xh.S., dhe E. Gj.,të cilët kanë rezultuar se në bashkupunim me shtetasin R.N., kanë falsifikuar formularët elektronikë për vizë amerikane duke e plotësuar me të dhëna jo reale.

Shtetasi R.N paraqitej ditën kur aplikantët kishin intervistën në konsullatë, në Ambasadën Amerikane për marrjen e vizës. Ai i shoqëronte dhe i udhëzonte se si të silleshin gjatë intervistës. Pasi ata përfundonin intervistën, në rast se kulifikoheshin (mernin vizën) shtetasi R.N merrte shumën prej 10.000 Eurosh.