Skandali Smokey Robinson! Katër ish-punonjëse e akuzojnë dhe kërkojnë 50 milionë dollarë dëmshpërblim

Smokey Robinson, një nga figurat më ikonike të muzikës soul dhe legjendë e epokës Motoin 1960–1970, është përballur me akuza të rënda për sulm seksual dhe përdhunim nga katër ish-punonjëse të tij.

Gratë, të cilat kanë zgjedhur të mbeten anonime për shkak të shqetësimeve për privatësinë dhe frikës nga hakmarrja, pretendojnë se ylli i muzikës ka abuzuar në mënyrë të përsëritur ndërmjet viteve 2007 dhe 2024, ndërsa punonin në shtëpinë e këngëtarit në Los Angeles.

Sipas padisë së ngritur në Gjykatën e Lartë të vendit, ylli 85-vjeçar shfrytëzonte momentet kur mbetej vetëm me to, duke injoruar kundërshtimet e tyre dhe duke krijuar një mjedis pune të papërshtatshëm dhe poshtërues.

Akuzat e tyre përfshijnë jo vetëm sjellje të përsëritura abuzive, por edhe shkelje të rënda të të drejtave të punës, përfshirë mungesën e pushimeve, pagave të drejta dhe frikësimin e vazhdueshëm.

Njëra nga gratë pretendon se është sulmuar të paktën 20 herë gjatë një periudhe 12-vjeçare, ndërsa një tjetër përmend të paktën 23 raste abuzimi.

Të katër gratë thonë se e kanë duruar në heshtje dhunën për vite me radhë, për shkak të frikës nga humbja e vendit të punës, stigmatizimi publik dhe pasojat që mund të kishin në statusin e tyre të emigracionit.

Ato u shfaqën në një konferencë për shtyp së bashku me avokatët e tyre, me fytyrat të mbuluara dhe pa bërë deklarata për mediat.


Shtuar 7.05.2025 15:35