Skandali me tenderat e AKSHI-t, përfundon procesi për masat e sigurisë në GJKKO/ Gjykata e Posaçme lë në “arrest shtëpie” Mirlinda Karçanajn

Ka përfunduar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca për konfirmimin e masave të sigurisë ndaj personave të pandehur në kuadër të skandalit të tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila akuzohet për tre vepra penale: shkelje e barazisë në tendera, grup i strukturuar kriminal si dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal.

Në “arrest shtëpie” është lënë gjithashtu edhe zëvendësdrejtoresha e AKSHI-t, Hava Delibashi, ndaj së cilës rëndojnë të njëjtat akuza.

Po ashtu, GJKKO la në fuqi masat ndaj të akuzuarve të tjerë. Pezullimin e drejtorit për hetimin e Krimit në policinë e Tiranës, Erion Ismaili, ndaj të cilit SPAK ka ngritur akuzat “konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës e kryer në formën e grupit kriminal, grup të strukturuar kriminal si edhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

Po ashtu janë konfirmuar edhe masat e “arrestit në burg” për dy biznesmenët në kërkim, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, që SPAK i akuzon për 6 vepra penale: pastrim parash, shkelje e barazisë në tendera e kryer në formën e bashkëpunimit të grupit kriminal, heqje e paligjshme e lirisë, konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

Edhe ndaj Andis Papës, Gëzim Hoxhës dhe Rogers Rrytës është konfirmuar masa e sigurisë ndalim i daljes jashtë vendit, të cilët akuzohen për pastrim parash, grup të strukturuar kriminal si edhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, këta persona, duke vepruar si grup kriminal, kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara. Dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri akuzohen se përmes pengmarrjes e shantazheve kanë detyruar Gerond Meçen të tërhiqej nga tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Me ndihmën e drejtueseve të AKSHI, kriteret e tenderave përshtateshin në mënyrë të tillë që fitoheshin nga kompanitë e Ermal Beqirit, ndërsa dyshohet se grupi ka pastruar miliona euro.