Skandali me paratë e tërmetit: Sa familje u shpërblyen në total gjatë fushatës zgjedhore

Lista me emrat e kryefamiljarëve që kanë përfituar nga grantet e rindërtimit pas tërmeteve në vend, para të cilat i kanë marrë gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, sa vijnë e shtohen.

Në një status në Facebook, Open Data Albania ka publikuar listën me emrat e përfituesëve të grantit të radhës të rindërtimit në qytetin e Durrësit. Open Data Albania ka nxjerrë emrat e kryefamiljarëve përfitues, të cilat janë miratuar nga Këshilli Bashkiak Durrës si subjekte përfitues të grantit të rindërtimit sipas projektit model.

Ne total janë 182 kryefamiljarë të cilët do të përfitojnë masën e grantit të rindërtimit të banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Konkretisht janë dhënë 2 milionë e  236 mijë e 552 lekë, për familjet me përbërje familjare deri në 2 anëtarë, me sip. 70 m2 dhe strukturë 1+1; 2 milionë e 617 mijë e 558 lekë, për familjet me përbërje familjare deri në 4 anëtarë, me sip. 80 m2 dhe strukturë 2+1 si dhe 3 milionë e 428 mijë e 958 lekë, për familjet me përbërje familjare deri në 5 anëtarë, me sip. jo më pak se 90 m2 dhe strukturë 3+1.

Në anën tjetër opozita ka denoncuar shumë herë gjatë fushatës zgjedhore se sipas tyre, gjatë muajve mars dhe prill, bashkitë e kontrolluara nga Partia Socialiste kanë shpërndarë 40 milionë euro për familjet e prekura nga tërmeti. Sipas Partisë Demokratike, Bashkia e Durrësit ndau 6 milionë euro për familjet e dëmtuara nga tërmeti, 89 herë më shumë se sa ka shpërndarë në 15 muajt e fundit.

Reagimi:

Të tjere perfitues ne data te fushates zgjedhore, 2021 Bashkia Durres

Open Data Albania: Subjektet përfituese nga masa e Grantit të Rindërtimit (VKB Nr.13;17;38;48/2021 Bashkia Durrës)

Masat e grantit të rindërtimit për objektet të cilat janë klasifikuar për prishje dhe që duhen rindërtuar nga e para janë:

2 236 552 lekë, për familjet me përbërje familjare deri në 2 anëtarë, me sip. 70 m2 dhe strukturë 1+1.

2 617 558 lekë, për familjet me përbërje familjare deri në 4 anëtarë, me sip. 80 m2 dhe strukturë 2+1.

3 428 958 lekë, për familjet me përbërje familjare deri në 5 anëtarë, me sip. jo më pak se 90 m2 dhe strukturë 3+1. (pika 2 e VKB nr.8 Dt.28.01.2021)

Kriteret për kalimin e masës së grantit të rindërtimit sipas projekteve model nga Bashkia Durrës janë të parashikuara në Kontratën Model të bashkangjitur VKB nr8/2021 ku ndër të tjera përcaktohet që kalimi i masës së grantit do të bëhet në dy këste: kësti i pare në masën 60% kalohet nga Bashkia Durrës tek përfituesi i cili bën tërheqjen e shumës pas miratimit të kërkesës për leje ndërtimi dhe kësti i dytë kalohet pas verifikimit dhe mbikëqyrjes nga strukturat përkatëse për zbatimin e kontratës sipas kushteve të përcaktuara ne kontratë.

Subjekti përfitues duhet të dorëzoje projektin model, i cili është hartuar nga projektues të liçensuar dhe është i konfirmuar nga strukturat përgjegjëse të Bashkisë Durrës mbi rregullsinë dhe ligjshmërinë e tij.

Shtuar 17.05.2021 07:05