Skandali me ndërprerjen e energjisë në QSUT/ Erion Dasho: E papranueshme, nuk funksiononin as dritat e emergjencës në korridor…

Në një intervistë për News 24, mjeku shqiptar që punon në Gjermani, Erion Dasho, e cilësoi si të papranueshme ndërprerjen e energjisë elektrike në QSUT, duke thënë se mund të kishte pasur edhe humbje jete të pacientëve.

Dasho theksoi se Prokuroria duhet të nisë një hetim urgjent, për të kuptuar nëse është garantuar cilësia dhe siguria ndaj pacientëve të shtruar aty.

Sipas tij, ky incident nuk mund të kalohet vetëm me deklarata apo masa administrative, por duhet të kryhen hetime ligjore.

Mjeku theksoi se duhet të ketë 2 linja sigurie për energjinë elektrike, që sigurojnë jetën e çdo pacienti.

“Është e papranueshme që një qendër si QSUT të kenë ndërprerje me minuta apo orë të energjisë elektrike se kjo dëmton sigurinë e pacientit dhe përbën rrezik direkt për jetën e tyre. Rrezikohet jeta e pacientit dhe jemi në humbje të jetës. Frymëmarrja e drejtuar ka për qëllim të zëvendësojë frymëmarrjen normale. Nëse kjo mundësohet me pajisje që furnizohen me energji elektrike, ndërpritet oksigjenimi i pacientit dhe rrezikon jetën. Nuk konceptohet asnjë spital, jo në Evropë por as në vendet më të humbura afrikane, të fuksionojnë pa energji elektrike”, theksoi ai.

Ai theksoi se një situatë e tillë tregon paaftësinë në drejtim, teksa tha se spitalet evropiane nuk drejtohen nga “patronazhistë dhe klarinetistë”.

Gjithashtu, Dasho u shpreh se Anxhela Paparizo, drejtuesja aktuale e qendrës spitalore, nuk ka asnjë lidhje me shëndetësinë.

“Në spitalet evropiane nuk drejtojnë patronazhistë dhe as klarinetistë. Drejtorja aktuale e QSUT nuk ka lidhje me sistemin shëndetësor, e cila para disa muajsh erdhi nga Kanadaja. Bëhet fjalë për një paaftësi në drejtim. Në këto 12 vjet që qeveris PS, janë shkatërruar në themel strukturat e sistemit shëndetësor shqiptar. Kam qenë në disa akreditime spitalesh në disa vende të botës, Komiteti i Sigurisë së Spitalit kryen prova në çdo nënsistem të spitalit. Fiket linja dhe kontrollet tjetra. Fiken të dyja dhe kontrollet. Mesa pashë në rrjete sociale, as dritat e emergjencës në korridor në QSUT nuk funksiononin. Pra gjithçka kontrollohet një herë në vit”, u shpreh mjeku.


Shtuar 20.01.2026 15:32