Skandali i publikimit të pagave të qytetarëve, reagon qeveria

Zëdhënësi i qeverisë Endri Fuga ka reaguar pas publikimit të listës së pagave të qytetarëve në rrjet. Në deklaratë qeveria thekson se raporti nuk ka dalë nga Ministria e Financave pasi në databazë ka të dhëna që nuk janë në dokumentin zyrtar. Ai shton se Financat po bëjnë gati një denoncim zyrtar për ta depozituar në prokurori për të kërkuar zbardhjen e asaj që ata e quajnë ndërhyrje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim. Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme.

Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument ilegal. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standartet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme. Ndërkohë ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.


Shtuar 22.12.2021 15:15