Skandali i Onkologjikut, VOA bën analizë: Sot janë paraqitur në Gjykatë ata që…

Në Tiranë, Kuvendi u përfshi sot nga një debat i ndezur lidhur me aferën korruptive në spitalin onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku dyshohet të jetë zbuluar një skemë abuzimi në dëm të pacientëve me tumore.

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, tha se ky abuzim i rëndë me detyrën i një grupi mjekësh, personeli e farmacistësh meritojnë ndëshkimin ligjor dhe moral, por deputetë të opozitës kërkuan dorëheqjen e saj.

Ndërkohë, gjykata e kryeqytetit miratoi sot masat e arrestit shtëpiak dhe detyrim paraqitje për 7 persona të dyshuar për shpërdorim detyre, mes tyre edhe zëvendës drejtoresha e Qendrës Spitalore.

Gjykata miratoi sot masat e arrestit shtëpiak për një mjek dhe një farmacist, si dhe detyrim paraqitje për 5 të dyshuar të tjerë, zëvendës drejtoresha Brikena Qirjazi e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, një mjeke, një koordinator, një ish specialiste e Qendrës aktualisht jashtë vendit, administratori i një klinike private.

Ky i fundit dyshohet për fshehje të të ardhurave, ndërsa administratori i farmacisë dyshohet për transport, tregtim dhe ruajtje të mallrave kontrabandë.

Ata u paraqitën sot në gjykatë për masat e arrestit, ku mësohet se nuk i kanë pranuar akuzat para gjyqtarëve.

“Unë jam doktoresha Alketa Pere. Kurrë në jetën time, kurrë në jetën time nuk e kam bërë që pacienti të shkojë në spital privat. Përveçse mjeke për shumë vite, kam edhe vet në familje pacientë me kancer në familje dhe e di shumë mirë se ççdo të thotë një pacient me kancer. Pacienti me kancer duhet të trajtohet në Spitalin Onkologjik. Duhet të hetohen gjithë spitalet private për veprimtarinë që kryejnë. Falenderoj edhe prokurorin për punën që ka bërë. Duhet një ndryshim rrënjësor në Onkologjik, duke nisur nga struktura dhe pajisjet”, u tha në dyert e gjykatës njëra nga mjeket e akuzuara.

Hetuesit dyshojnë se ky grup personash përfitonin përmes një skeme abuzimi me pacientët e onkologjisë, të cilët i transferonin nga spitali shtetëror në klinika private, përmes pengesave artificiale në Qendrën Spitalore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cilësoi ngjarjen si një abuzim të rëndë me detyrën i një grupi mjekësh, farmacistësh dhe personel tjetër, të cilët kanë luajtur me jetën e të sëmurëve, duke kapërcyer çdo normë njerëzore dhe profesionale.

“Është një akt dhe një sjellje që ka vetëm një përgjigje, ndëshkimin ligjor, ndëshkimin administrativ, por edhe moral. Çdo njëri nga ata burra dhe gra për të cilët Ministria e Shëndetësisë ka nisur hetim administrativ, krahas hetimit që ka filluar prokuroria, do të mbajnë mbi shpinë jo vetëm peshën e ligjit, por edhe moralin e turpit”, tha ministrja Koçiu.

Kjo ishte deklarata e tretë brenda tre ditëve, që ministrja Koçiu dënon këtë ngjarje si “të paprecedentë dhe të neveritshme”, duke kërkuar ndëshkimin dhe përjashtimin e autorëve nga sistemi shëndetësor.

Por ndërsa ministrja propozonte forcimin e ligjit mbi Urdhërin e Mjekut për t’u hequr të drejtën e ushtrimit të profesionit të gjithë mjekëve që abuzojnë me detyrën, deputetët e opozitës e ndërprenë disa herë, duke kërkuar dorëheqjen e saj, duke përsëritur se abuzimet në sistemin shëndetësor nisin nga drejtuesit e lartë të kësaj fushe.

“Në këtë qeveri të paktën tre ministra, ministrja e Shëndetësisë Koçiu, ish ministrja e Shëndetësisë Manastirliu dhe ministri i Drejtësisë Manja, sot nuk duhet të ishin ulur në ato karrige. Ose duhet të ishin shkarkuar ose duhet të kishin dhënë dorëheqjen, sepse e kanë ditur, të gjithë e kanë ditur skandalin te Onkologjiku. Të gjithë kanë qenë në dijeni, por kanë refuzuar që të reagojnë dhe tani sulmojnë mjekët atje”, tha deputetja e opozitës Albana Vokshi.

Sipas materialeve hetimore të prokurorisë mbi aferën e Onkologjikut, prej tre vjetësh në spitalin shtetëror u instalua por nuk u shfrytëzua asnjëherë aparatura e radio-terapisë, e cila për më tepër “u la në kushte të papërshtatshme, duke mos ia ndërtuar një bunker anti-radioaktiv, duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme”.

Edhe më herët prokuroria ka hetuar raste kur pas sekuestrimit të barnave nëpër farmaci, doli se një pjesë e tyre ishin për përdorim spitalor në Onkologji, me synim për t’u shitur me çmime të konsiderueshme./ VOA


Shtuar 27.06.2024 20:41