Mbrëmjen e djeshme, një ngjarje shqetësuese ka ndodhur në ambientet e një hoteli të njohur në lagjen Skelë të Vlorës, ku një kamarier i ri është dhunuar brutalisht nga një efektiv policie jashtë shërbimit dhe një person me precedent penal.
Sipas burimeve nga vendngjarja dhe pamjeve filmike të siguruara, Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës, së bashku me Leart Bimon, kanë ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj kamarierit vetëm për një incident banal, shërbimin e një shisheje uji më shumë se sa ishte porositur.
Dëshmitarët tregojnë se Isufi i është afruar kamarierit në mënyrë kërcënuese dhe ka krijuar kontakt fizik, ndërsa më pas Bimo e ka sulmuar disa herë në mënyrë të dhunshme.
Ngjarja ka ndodhur në prani të shumë klientëve vendas dhe të huaj, të cilët janë tmerruar nga skena dhe janë larguar menjëherë nga lokali, duke e lënë bosh.
Kamarieri është në gjendje të rënduar psikologjike dhe gjithashtu me dëmitime fizike në njërin sy.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi ngjarjen.