Skandal në klinikën Zhan Mitrev në Shkup, pacientëve u ofrohej “kurë” por në fakt bëheshin pjesë e një eksperimenti

Eksperiment i pa aprovuar me qenie njerëzore në vend të kurës nga COVID-19.  Këtë morën pacientët që u shtrinë në klinikën private Zhan Mitrev në Shkup, për tu trajtuar nga virusi që shkaktonte COVID-19.

“Filtrimi i gjakut” apo Hemofiltrimi që Zhan Mitrev u ofronte pacientëve me COVID-19 si shpresë e vetme për shpëtim nga vdekja, po del të ketë qenë eksperiment mjaft i rrezikshëm që u kushtoi me jetë shumë pacientëve. Ky trajtim ju u ofronte pacientëve në paketë nga 3 mijë deri në 5 euro për seancë.

Trajtimi me hemofiltrim ishte bërë duke mos u treguar pacientëve dhe familjarëve të tyre se në ta po bëhet eksperiment shkencorë. Nuk u ishte treguar as për rreziqet e as për pasojat që sillte ky trajtim.

Ky skandal u zbulua nga një hulumtim i bërë nga IRL (Investigative Reporting Lab) te të cilët kishin ardhur mbi 24 ankesa nga familjarët që humbën më të dashurit e tyre në Zhan Mitrev nga trajtimi që morën kundër COVID-19.

Jo të pakta ishin rastet e pacientëve që përfundonin tragjikisht pas “Pastrimit të gjakut” si pasojë e infeksioneve bakteriale në gjak që më pas u sillte edhe vdekje.

I tillë është edhe rasti i familjes Brezevi, të cilët në Zhan Mitrev humbën kryefamiljarin pikërisht nga kjo arsye. Sipas tyre, doktorët e Zhan Mitrev ua fshehën rezultatet laboratorike që dëshmonin se familjari i tyre po merrte infeksione bakteriale intraspitalore të njëpasnjëshme. Ndërsa në vend të pasqyrës së vërtetë klinike, u jepnin raporte të rrejshme me rezultate negative për prezencë të baktereve në gjak.

Ndërsa analizat që ata vetë i siguronin nga burime të tjera dëshmonin se familjari i tyre që po mjekohej në Zhan Mitrev, po merrte infeksione bakteriale intraspitalore të njëpasnjëshme. Pavarësisht insistimit për të zbuluar të vërtetën, spitali u tregua jo transparent me ne, thonë familjarët. Pacientit nga familja Brezevi iu përkeqësua gjendja, morri sulm dhe më pas ndërroi jetë.

Por ai nuk ishte i vetmi. Si Brezevi përfunduan edhe shumë të tjerë që u trajtuan me “Hemofiltrimin” magjik, ndërkaq sipas IRL, asnjë nga këto raste me helmim gjaku nuk u paraqitën në institucionet shëndetësore shtetërore, edhe pse me ligj është e obligueshme.

Vetëm gjatë kohës së pandemisë, klinika Zhan Mitrev përfitoi mbi 17 milion euro vetëm nga trajtimi i pacientëve më COVID.  Aso kohe ishin mjaftë të shpeshta paraqitjet publike të vetë pronarit dhe doktorit kryesor, Zhan Mitrev nëpër mediat vendase, duke proklamuar “Pastrimin e gjakut” si zbulimi më i avansuar për trajtim të pacientëve me COVID.

IRL gjithashtu ka dalë me disa fakte mahnitëse, që vendosin në pikëpyetje edhe titujt shkencorë dhe profesional të Zhan Mitrevit. Sipas tyre, një pjesë e madhe e titujve po del të jenë të rrejshëm dhe të blerë nga organizata të huaja që nuk ekzistojnë ose që kanë qenë pjesë e mashtrimeve.

Hulumtimi i bërë ndjek rrugën dhe metodologjinë e funksionimit të një prej mjekëve më të paguar në vend. Në fokus të hetimit është periudha 2020-2021 gjatë trajtimit të pacientëve me COVID-19, ku ishte aplikuar metoda e hemofiltrimit. Kjo metodë zbatohej vetëm në këtë klinikë, bazuar tek një rekomandim i përkohshëm dhe tejet strikt i një organizate shëndetësore.

Hulumtimi i IRL gjithashtu zbërthen dëshmi se si institucionet përgjegjëse shëndetësore nuk kanë ditur për veprimet e paligjshme të kësaj klinike, për trajtime që duhen dhënë leje dhe miratime përkatëse, por edhe mbikëqyrje e specializuar institucionale./GazetaExpress/


Shtuar 18.07.2022 13:47