Është shuar në moshën 95-vjeçare, Nexhmedin Doko, kompozitori i shquar, autor i shumë këngëve të muzikës së lehtë dhe teksteve shkollorë.
Nexhmedin Doko lindi në vitin 1929, në qytetin e Beratit. Në vitin 1950 përfundoi me rezultate të larta Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Prof. Doko ishte “produkt” i Konservatorit të njohur rumun “Ciprian Porumbescu” (kompozitori i muzikës së himnit kombëtar), ku vijoi studimet në dirigjim dhe kompozim (1958-1962).
Kompozimet e tij janë interpretuar nga këngëtarë të njohur si Vaçe Zela, Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi, Zija Çela etj. Ka marrë pjesë në disa nga festivalet e këngës ku ka fituar edhe çmime. Krijime të Nexhmedin Dokos janë midis të tjerave këngët “Kur jam pranë teje”, “Rini e Zjarrtë, etj., si edh e operetën “Dritë dhe këngë”.
Gjithashtu Nexhmedin Doko ka shkruar edhe tekste mësimore muzike. Pas goditjeve të sistemit komunist në fushën e artit dhe kulturës (1973-1974), Nexhemdin Doko u mënjanua thuajse totalisht nga sistemi, në kuadër të luftës famëkeqe së klasave dhe shumë nga krijimet e mëpasshme të tij nuk patën fatin të bëheshin publike, duke e lënë të cunguar CV-në e tij muzikore, fat i hidhur që shoqëroi shumë krijues e artistë të spikatur që jetuan në periudhën e diktaturës komuniste.
Pjesë nga krijimtaria e Nexhmedin Doko
1.Rini e zjarrtë – Festivali i XIII-të i këngës RTSH – 1974
2.Takim i brezave – Festivali i XII-të i këngës në RTSH – 1973
3.Festë në malësi – Festivali i VI-të i këngës në RTSH – 1967
4.Kur jam pranë teje – Festivali i IV-t i këngës në RTSH – 1965
5.Kthim nga fusha – Festivali i III-të i këngës në RTSH – 1964
6.Nëse ti mua më pyet – Festivali i II-të i këngës RTSH – 1963
7.Kënga e Inxhinieres – Festivali i I-rë i këngës RTSH – 1962
8.Opereta “Dritë dhe këngë”.