Shtrëngoi duart me Yuri Kim, Meta: Forcojmë bashkëpunimin e mëtejshëm

Presidenti i vendit Ilir Meta ka folur pas konferencës që u mbajt në Tiranë, kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ku ishte e pranishme dhe ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri  Kim, me të cilën kreu i shtetit shtrëngoi duart, pas një periudhe të gjatë akulli mes tyre.

“Asnjë problem në këtë drejtim, përveç forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit, jo vetëm kundër trafikimit të qenieve njerëzore, edhe për shkak të largimit jashtë vendit edhe të fëmijëve të pashoqëruar nga prindërit, të cilët bëjnë shpesh pre e trafikantëve ndërkombëtarë. Një pasojë e madhe për shkatërrimin e familjes, dhe shteron energjinë e vendit, lufta kundër trafikut duhet të jetë një prioritet, qoftë për qeverinë, qoftë për opozitën dhe parlamentin. Trafikimi është një krim ndërkombëtar, dhe nuk mund të ballafaqohet veçse me bashkëpunim mes shteteve dhe organizatave ndërkombëtare”, tha Meta.

I pyetur për zgjedhjen e Sali Berishës në krye të PD-së dhe bashkëpunimin me të si opozitë, Meta tha se opozita më e mirë ndaj të gjithëve janë shqiptarët e ndershëm, duke folur më tej për bashkim.

“Mendoj se opozita më e mirë ndaj të gjithëve janë shqiptarët e ndershëm. Ata thjesht kanë nevojë për t’u bashkuar dhe për të çuar përpara vendin”, deklaroi presidenti.

Shtuar 25.05.2022 11:33