Me 32% të mesatares europiane Shqipëria mbetet e fundit në Europë për të ardhurat për frymë për vitin 2021, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat (të dhënat nuk përfshijnë Kosovën).
Bosnjë Hercegovina ka të ardhura për frymë sa 33% e mesatares së BE-së, ndërsa Maqedonia e Veriut e ka treguesin 10 pikë përqindje m ëtë lartë sesa Shqipëria (42), Serbia 44 dhe rekordin në rajon e mban Mali i Zi, me 47%.
Në treguesin tjetër, atë të konsumit individual për frymë, që mat fuqinë blerëse të qytetarëve të një vendi dhe mirëqenien materiale të tyre, sërish Shqipëria është e fundit, me 39% të mesatares europiane. Bosnja e ka këtë tregues 41%, Maqedonia e Veriut 49, Serbia 52 dhe Mali i Zi 60%.
Prej vitesh Shqipëria nuk po arrin të rritet më shpejt sesa fqinjët apo vendet e tjera të BE-së, duke ngecur në të ashtuquajturin process të konvergjencës, apo rritjes më të shpejtë me synim që të kapë Brenda një periudhe të caktuar mesataren e Bashkimit Europian.
Europa
Në vitin 2021, nëntë Shtete Anëtare regjistruan konsum individual (AIC) për frymë mbi mesataren e BE-së. Luksemburgu (46%) ishte i vetmi shtet anëtar që regjistroi AIC për frymë 25% ose më shumë mbi mesataren e BE-së. Në Danimarkë, Gjermani, Holandë, Belgjikë, Austri, Suedi, Finlandë dhe Francë, nivelet ishin 10% ose më shumë mbi mesataren e BE-së.
Në trembëdhjetë Shtete Anëtare, AIC për frymë ishte midis mesatares së BE-së dhe 25% më poshtë. Në këtë kategori, kishte dallime të rëndësishme në të gjithë Shtetet Anëtare: në Itali, Lituani, Qipro dhe Irlandë, nivelet ishin 10% ose më pak nën mesataren e BE-së, ndërsa Sllovenia, Spanja, Çekia, Polonia, Portugalia, Malta dhe Rumania ishin ndërmjet 11% dhe 20% më poshtë. Estonia dhe Greqia ishin përkatësisht 21% dhe 23% nën mesataren e BE-së.
Pesë shtete anëtare regjistruan AIC për frymë 25% ose më shumë nën mesataren e BE-së. Kroacia, Letonia, Hungaria dhe Sllovakia ishin midis 27% dhe 30% më poshtë, ndërsa Bullgaria regjistroi AIC për frymë 37% nën mesataren e BE-së.
PBB për frymë varionte nga 55% e mesatares së BE-së në Bullgari në 277% në Luksemburg
Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, një masë e aktivitetit ekonomik, tregon gjithashtu dallime thelbësore midis Shteteve Anëtare të BE-së.
Në vitin 2021, PBB për frymë e shprehur në PPS varionte ndërmjet 55% të mesatares së BE-së në Bullgari dhe 277% në Luksemburg. Dhjetë shtete anëtare regjistruan një nivel të PBB-së për frymë mbi mesataren e BE-së në vitin 2021./Monitor