Teksa Shqipëria po përballet me protesta të fuqishme dhe tensione politike, kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë të hënën një vizitë zyrtare në Vjenë. Gazeta austriake “Kurier” ka analizuar situatën në vend, si dhe udhëtimin e kreut të qeverisë shqiptare në Austri.
Sipas të përditshmes austriake, vizita mund të përbëjë një “pushim të mirëpritur” për Ramën, ndërsa në Shqipëri protestat vijojnë prej muajsh dhe pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e tij, pas 13 vitesh në pushtet.
Të lidhura
None found
“Për kryeministrin shqiptar, udhëtimi i së hënës në Vjenë do të jetë një ndërprerje e mirëpritur e protestave që prej muajsh kanë përfshirë vendin e tij. Një vizitë e shkurtër në Austri mund të shihet edhe si një vizitë mirësjelljeje te i afërmi i pasur: Austria është investitori i gjashtë më i madh i huaj në Shqipëri, ndërsa në vitin 2025 shkëmbimet tregtare mes dy vendeve arritën nivelin më të lartë,” shkruan gazeta.
“Kurier” nënvizon rëndësinë ekonomike që Austria ka në Shqipëri, duke sjellë në vëmendje kompanitë Verbund, Strabag, Raiffeisen Bank, Vienna Insurance Group dhe CINEPLEXX. Gazeta përmend gjithashtu zgjerimin e sektorit të turizmit dhe thekson se, falë këtyre marrëdhënieve ekonomike, Austria është ndër mbështetëset më të forta të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, objektiv që Tirana synon ta realizojë brenda vitit 2030.
Megjithatë, artikulli vë përballë pritjen ceremoniale që e pret Ramën në Vjenë me situatën e rënduar në Shqipëri. Sipas gazetës, protesta që nisi si kundërshtim ndaj një çështjeje mjedisore është shndërruar në një lëvizje të gjerë popullore kundër qeverisë.
Ndërsa Rama pritet të nderohet me ceremoni ushtarake nga kancelari federal Christian Stocker (ÖVP), në Shqipëri protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit, i cili drejton vendin prej 13 vitesh. “Protestat Flamingo”, të nisura kundër një projekti turistik luksoz të planifikuar në një zonë shumimi të flamingove dhe ku thuhet se është i përfshirë edhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, janë kthyer në një revoltë masive kundër qeverisë, shkruan në përfundim “Kurier”.






