Shtrenjtimi i naftës ka sjellë dhe rezultatin e pritshëm, atë të rritjes së çmimeve të produkteve të shportës. Në krahasim me vendet e Rajonit, Shqipëria tashmë renditet e para sa i përket çmimeve të larta për bukën, qumështin, vezën dhe mishin.
Shqipëria është duke u përballur me një rritje çmimesh të produkteve bazë të konsumit me rreth 10-20 lekë. Duke krahasuar të dhënat me rajonin, rezulton se vendi ynë ka çmimet më të larta për bukën, qumështin, vezën dhe mishin.
Konkretisht, nëse në Shqipëri një litër qumësht kushton 160 lekë, në Kosovë kostoja e këtij produkti është 113 lekë, në Maqedoninë e Veriut 101 lekë, ndërsa në Serbi 100 lekë.
Për sa i përket miellit ai ka pësuar një rritje prej 20 lekësh, pra nga 100 lekë është bërë 120 lekë. Kjo gjë duket se ka ndikuar edhe çmimin e bukës që gjithashtu ka lëvizur me 20 lekë duke shkuar nga 70 në 90 lekë. Ndërsa në Prishtinë, 500 gramë buke mund ta blesh me 45 lekë. Të njëjtën masë në Beograd e merr me 55 lekë, ndërsa në Shkup me 60 lekë.
Sa i përket orizit, në Shqipëri këtë produkt qytetarët e blejnë me 175 lekë, me të njëjtin çmim tregtohet dhe në supermarketet e Kosovës, ndërsa në Serbi është 145. Qytetarët maqedonas janë ata që paguajnë çmimin më të ulët për këtë produkt dhe konkretisht 130 lekë.
Ndërkohë, 12 kokrra vezë në vendin tonë tregtohen mesatarisht me 210 lekë. Të njëjtën sasi shqiptarët e Kosovës e marrin me 150 lekë, ata të Maqedonisë së Veriut me 184 lekë, ndërsa konsumatorët në Serbi me 171 lekë.
Mishi është gjithashtu një produkt që i kushton shtrenjtë konsumatorëve shqiptarë. Në Tiranë një kilogram mish viçi është mesatarisht 1000 lekë, në Maqedoninë e Veriut 850 lekë, në Kosovë kushton 800 lekë, ndërsa në Serbi 804 lekë.
Vala e rritjes së çmimeve pritet të vijojë edhe në 4 muajt e ardhshëm, më pas pritet të ketë një stabilizim të situatës. /oranews/