Shpërthime dhe raketa, separatistët në Ukrainën lindore njoftojnë se do të evakuojnë banorët e rajoneve pro-ruse

Separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore thanë të premten, se po planifikojnë të evakuojnë banorët e rajonit të tyre, një zhvillim shqetësues që Perëndimi beson se Moska do ta përdorë si pretekst për të sulmuar Ukrainën.

Denis Pushilin, kreu i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut tha se Rusia kishte rënë dakord të strehonte të evakuuarit dhe se fillimisht do të largoheshin gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Rajoni tjetër separatist i Luhanskit, bëri një njoftim të ngjashëm.

Miliona civilë besohet se jetojnë në dy rajonet e kontrolluara nga rebelët pro-rusë në Ukrainën lindore. Shumë prej tyre kanë marrë nënshtetësinë ruse.

Bombardimet me artileri të së premtes në zonën e përfshirë nga konflikti në Ukrainën lindore ishin më intensivet prej vitesh. Kievi dhe separatistët po fajësojnë njëri-tjetrin për goditjet.

Vendet perëndimore kanë thënë se ata mendojnë se goditjet me granata, që filluan të enjten dhe u intensifikuan të premten, janë pjesë e një preteksti për të sulmuar.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se zhvillimet në zonën kufitare gjatë dy ditëve të fundit janë pjesë e një skenari rus për të sajuar provokime të rreme.

Një burim diplomatik që ka përvojë të drejtpërdrejtë lidhur me konfliktin në rajon i përshkroi bombardimet në Ukrainën lindore si më intensivet që kur përfunduan luftimet masive atje përfunduan me një armëpushim në vitin 2015.

Afro 600 shpërthime u regjistruan të premten në mëngjes, 100 më shumë se të enjten.

I pyetur në lidhje me thirrjet për evakuim, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se nuk kishte informacion për situatën dhe nuk e dinte nëse ato po koordinoheshin me Rusinë, njofton agjencia ruse Interfax.

 

 

 

 

 

 


Shtuar 18.02.2022 19:10