Shpallen fituesit për projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve/ Rama: Platformë e re e zhvillimit të pronës publike (VIDEO)

Ditën e djeshme, juria ndërkombëtare zgjodhi studiot arkitekturore për dy projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve për 4 zhvillime të reja, të cilat do t’i hapin rrugë një qasje të re për ndërtimin e zyrave dhe krijimin e hapësirave të reja të shërbimeve bashkëkohore për administratën publike.

Për grupin e parë për lotin e parë për strukturën administrative, u zgjodhën studiot COLDEFY (Francë) dhe Snohetta.

“Fasada është skematike dhe sugjerojmë ta hapni në të ardhmen. Ndërtesa juaj nuk është zgjedhur vetëm nga juria po dhe nga personat që do të punojnë aty”, u shpreh kreu i jurisë.

Për lotin e 2 u zgjodhën studiot ANDREA CAPUTO (Itali) dhe SO-IL (SHBA).

Për grupin e dytë për lotin një dhe dy, u zgjodh e njëjta studio BAUKUH (Itali) dhe studio Snohetta (Norvegji).

Studiot pjesëmarrëse në konkurs për projektimin e godinave për administratën publike, janë Andrea Caputo (Itali) dhe So-il (SHBA), Coldefy (Francë), Embt Architects (Spanjë), Snohetta (Norvegji), Zaha Hadid Architects (Britani e Madhe), Archi-Tectonics (SHBA), Architecture Studio (Francë), Baukuh (Itali), Cook Research (Britani e Madhe), Mad Office (SHBA).

Këtë ngjarje e ka vlerësuar edhe vetë kryeministri Edi Rama, i cili teksa publikon pamje nga konkursi, shprehet përmes rrjeteve sociale se shteti përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), përfiton në rolin e pronarit, katër projekte.

“MIRËMËNGJES dhe me projektet fituese të të parit konkurs ndërkombëtar, ku shteti përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), përfiton në rolin e pronarit, katër projekte të cilat do të hidhen në garë të hapur për ndërtimin me sipërmarrje të një kompleksi administrativ, për sistemimin e një numri të konsiderueshëm institucionesh publike, të kompleksit të ri të Kadastrës Shtetërore, si edhe të dy godinave multifunksionale, duke krijuar kësisoj një platformë të re zhvillimi të pronës publike, sipas modeleve më të mira europiane, si edhe transformimi të infrastrukturës së shërbimit publik në funksion të Vizionit Shqipëria 2030, ju uroj një ditë të bukur”, shprehet kryeministri Rama.


Shtuar 18.09.2024 08:23