Rama komenton përplasjet para Kuvendit: Sorrat dhe korbat ushtrojnë presion ndaj deputetëve, flamingot janë të qetë

Kryeministri Edi Rama reagoi për incidentet e ndodhura para Kuvendit, ku protestues hodhën vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve dhe patën përplasje me policinë.

Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët, ai bëri dallimin mes protestuesve paqësorë dhe atyre që, sipas tij, përdorin dhunë, duke i cilësuar këta të fundit si korba dhe sorra.

Të lidhura

None found

“Kur shkon atje, një grup për të ushtruar presion fizik ndaj deputetëve, jemi në rrethana të tjera. Por ata nuk janë flamingo, ata janë paqësore. Sorrat dhe korbat janë të dhunshëm. Flamingot do i trajtojmë me shumë respekt. Me sorrat dhe korbat nuk kemi çfarë bëjmë fare. Në fund ata do jenë përsëri të humbur. Do shpërndahen kokrra kokrra”, theksoi ai.

Rama: Të ardhurat nga rritja e çmimit të naftës do i marrin pensionistët

Në të njëjtin takim, Rama u ndal edhe te të ardhurat e krijuara nga shtimi i çmimit të naftës si pasojë e konfliktit në Iran, duke u thënë pensionistëve se këto para do t’u kalojnë atyre.

Teksa prej dje ka nisur shpërndarja e bonusit të verës në vlerën 5 mijë lekë të reja, kryeministri komentoi edhe debatet që janë bërë rreth këtij premtimi.

“Vitin e shkuar thanë po e japin bonusin për fushatë. Këtë vit s’kemi fushatë. Bonusi s’ka lidhje me asgjë tjetër, veçse me vëmendjen që ju kemi premtuar. I është shtuar buxhetit fitimet nga të ardhurat prej çmimit të naftës, nuk është mbajtur në buxhet, por është pjesë e bonusit që do marrin pensionistët që nga sot”, tha Rama.

Sipas tij, të gjitha të ardhurat që janë gjeneruar nga rritja e çmimit të naftës për shkak të luftës do t’u jepen pensionistëve.

“Nuk janë vetëm pensionistët, por edhe personat me aftësi të kufizuar, të cilët prej kohësh prisnin këtë që ne bëmë, dyfishimin e ndihmës për personat me aftësi të kufizuara. Janë fëmijët me aftësi të veçanta, u mor vendimi dhe fillon tani dyfishimi i ndihmës. Është vendosur që sigurimet e kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuara do i paguajë shteti”, tha kryeministri Rama.

https://www.youtube.com/watch?v=zx2xMcIiHD8

 


Shtuar 2.07.2026 09:25