Sherri te Kepi i Rodonit, policia njoftim zyrtar: Shpallet në kërkim shoferi i Frrokut, qëlloi me armë

Policia e Durrësit ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e 8 personave pas konflikti për pronën në Kepin e Rodonit.

Të arrestuarit janë Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka, Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri.

Ndërsa në kërkim është shpallur Besnik Toma, i cili ditën e djeshme ka qëlluar me armë.

Toma është shoferi i Mark Frrokut, megjithëse ky i fundit para hetuesve ka deklaruar se ka lidhje familjare (nip) me të.

Në gjendje të lirë është proceduar Ndue Sokoli.

Lexo edhe: Konflikti për pronat te Kepi i Rodonit, 8 të arrestuar, mes tyre edhe Mark Frroku

Në konflikt u përfshinë disa persona që deklarojnë se janë përfaqësues të Kishës Katolike de banorët e fshatit Shetaj, mes tyre edhe ish-deputeti Mark Frroku dhe të afërm të tij.

Njoftimi i policisë:

Manzë, Durrës -U konfliktuan me sende të forta me njëri-tjetrin, në kepin e Rodonit, për motive pronësie, arrestohen në flagrancë 8 shtetas (nga të dyja palët në konflikt).

Vijon puna për kapjen e shtetasit që dyshohet se qëlloi me armë zjarri, në ajër, gjatë konfliktit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manzë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, te kepi i Rodonit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

B. K., E. R., O. R. dhe Y. R., për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Vetëgjyqësia”;

M. F., A. L., P. D. dhe M. L., për veprat penale “Kanosja”, “Moskallzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. S., për veprën penale “Moskallzimi i krimit”, si dhe vijon puna për kapjen e shtetasit B. T.

Ditën e djeshme, shtetasit B. K., E. R., O. R., Y. R., banorë të fshatit Shetaj, janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit N. S., M. F., A. L., P. D. dhe M. L., përfaqësues të kishës françeskane, të cilët po bënin rrethimin e një sipërfaqeje toke në zonë, për të cilën kanë certifikatë pronësie. Si pasojë e konfliktit, shtetasit e përfshirë në konflikt kanë pësuar dëmtime fizike.

Policia gjeti në vendin e ngjarjes një gëzhojë arme zjarri. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi që ka qëlluar me armë zjarri, gjatë konfliktit, është shtetasi B. T.

Sqarojmë se në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka patur herë pas here, mes palëve.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./albeu.com