Sherr masiv te moshat, edhe prindërit nuk e ruajnë qetësinë dhe nisin përleshjen (VIDEO)

Dhuna në futbollin shqiptar është një ves i cili po duket shumë i vështirë për t’u kapërcyer. E kjo duket kur edhe në një ndeshje të moshave ndodhin përleshje masive, teksa edhe prindërit bëhen protagonist. Një shfaqje e shëmtuar ka ndodhur sot në ndeshjen e U19 të Grupit B, mes Football Republic dhe Teutës.

Teksa takimi ishte mbërthyer në shifrat 1-1, vendasit fitojnë një 11-metërsh që e shndërrojnë në gol. Por, mesa duket një provokim i sulmuesit të vendasve ndaj portierit kundërshtar nuk është toleruar dhe futbollistët kanë nisur të kapen mes tyre. Por, situata është bërë më e vështirë për t’u menaxhuar pasi edhe prindërit nuk kanë ruajtur qetësinë dhe për një moment nuk kuptohej se çfarë po ndodhte.

Vetëm ndërhyrja e punonjësve të sigurisë, solli qetësinë ndërsa u dhurua një shfaqje e shëmtuar. Ndërkaq, me rifillimin e lojës, në minutat e mbetura, Teuta barazoi rezultatin në 2-2 me anë të Elezit i cili u ndëshkua me të kuq më pas, por e gjitha kjo pas asaj situate, nuk kishte më shumë vlera.


Shtuar 31.03.2021 16:16