SHBA u bën bojkot diplomatik Lojërave Olimpike në Pekin, Kina e kritikon ashpër dhe paralajmëron hakmarrje

Kina ka dënuar bojkotin diplomatik të planifikuar të SHBA-së për Lojërat Olimpike Dimërore 2022 në Pekin dhe kërcënoi se do të hakmerret.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian tha se Kina do të marrë “kundërmasa të vendosura”, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Të hënën, SHBA tha se nuk do të dërgonte diplomatë në Pekin për shqetësimet në lidhje me të dhënat e Kinës për të drejtat e njeriut.

Ai shtoi se atletët amerikanë mund të shkojnë dhe do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë.

Në një konferencë për media të martën, Zhao akuzoi SHBA-në për shkelje të “neutralitetit politik në sport” dhe tha se bojkoti i propozuar ishte “i bazuar në gënjeshtra dhe thashetheme”.

Tensionet janë të larta mes dy vendeve. SHBA-ja e ka akuzuar Kinën për gjenocid në shtypjen e saj ndaj pakicës kryesisht myslimane ujgure në rajonin perëndimor të Xinjiang – një akuzë që Kina e ka mohuar fuqishëm.

Marrëdhëniet janë gjithashtu të tensionuara lidhur me shtypjen e lirive politike nga Kina në Hong Kong, dhe për shkak të shqetësimeve për tenisten kineze Peng Shuai, e cila nuk u pa për javë të tëra pasi akuzoi një zyrtar të lartë qeveritar për sulm./albeu.com


Shtuar 7.12.2021 10:50