Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock, gjatë një takimit të premten në Uashington, përsëritën angazhimin për mbështetjen e tyre afatgjatë për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.
Duke folur me gazetarët pas bisedimeve mes tyre, Sekretari Blinken tha se Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me dhjetëra vende të tjera në mbarë botën, janë të përkushtuara për të ofruar ndihmë ushtarake, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën. Ai tha se ata diskutuan gjithashtu mbi aftësinë afatgjatë të Ukrainës jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të përparuar pas mbarimit të luftës.
Ministrja e jashtme gjermane Baerbock i bëri jehonë komenteve të Sekretarit Blinken, duke thënë se mbështetja për Ukrainën shkon përtej dërgesave të armëve dhe përfshinë çështjet humanitare dhe riparimin e infrastrukturës. Ajo tha se diskutoi me zotin Blinken se si Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania mund të koordinojnë më mirë ndihmën e tyre për Ukrainën.
Dy kryediplomatët u pyetën në lidhje me kërkesat e vazhdueshme të Ukrainës për sisteme raketash me rreze të gjatë veprimi që mund të godasin objektive në thellësi të territorit të Rusisë dhe ngurrimin e Perëndimit për t’ia dhënë ato Kievit.
Zonja Baerbock tha se Gjermania dhe aleatët e tjerë të NATO-s i kanë thënë Ukrainës që nga fillimi i sulmit të Rusisë se furnizimet me armë do të kufizoheshin në nevojat e Ukrainës për vetëmbrojtje dhe rimarrje të territoreve të saj të pushtuara.
Ministrja e Jashtme gjermane ka qenë në Shtetet e Bashkuara pjesën në të madhe të kësaj jave, duke udhëtuar në Teksas të martën dhe të mërkurën, ku ajo vizitoi një bazë ajrore, në të cilën pilotët gjermanë janë trajnuar. Ajo u takua të enjten me ligjvënësit amerikanë për të diskutuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën.
Eksportet e grurit ukrainas
Sekretari Blinken tha se ai dhe ministrja Baerbock diskutuan edhe mbi marrëveshjen për eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi, nga e cila Rusia u tërhoq në korrik, dhe mbi alternativat e eksportit të grurit nga Ukraina në vendet në zhvillim, të cilat kanë nevojë për furnizime me drithëra.Pas një takimi të premten në Bukuresht me zëvendëskryeministrin ukrainas Oleksandr Kubrakov, ministri rumun i Transportit Sorin Grindeanu tha se vendi i tij planifikon të dyfishojë kapacitetin mujor të tranzitit për drithërat ukrainase përmes portit të Konstancës, duke e çuar atë në 4 milionë tonë metrikë në muajt e ardhshëm.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi, zëvendëskryeministri ukrainas Kubrakov tha se ata shpresojnë të dyfishojnë kapacitetin e portit deri në fillim të tetorit, gjë që mund të ndihmojë Ukrainën të zgjidhë të paktën 50% të problemeve të saj të eksportit.