“Mbështetja e Serbisë për Shqipërinë si anëtare e Këshillit të Sigurimit, më e paktë ishte një hap pakujdesie ekstreme dhe askush nuk e ka pyetur Presidentin se përse e mbështetëm…”
Serbia votoi pro kandidaturës se Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe në lidhje me këtë gjë ngrihen pikëpyetjet nga ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç.
Sipas diplomatit serb kjo zgjedhje nuk duhet nënvlerësuar, duke thënë se Shqipëria mund ta përdorë votën e saj në KS për të fituar mbështetjen e vendeve të treta për axhendën që ka në rajon.
Jeremiç solli si shembull përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, që sipas tij me zgjedhjen e Shqipërisë në KS rrisin shumë shanset që të ndodhë në votimin e radhës.
“Më 11 qershor Shqipëria u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vitin 2022-2023 edhe me votën e Serbisë. Anëtarësia në Këshillin e Sigurimit ofron një sërë privilegjesh. Dikush mund të pyesë po pastaj se u zgjodh Shqipëria, kur ne kemi Rusinë dhe Kinën atje që vendosin veto.
Do të ketë plotë çështje të tjera në axhendën e Këshillit të Sigurimit që do të jenë me rëndësi për vende të treta ku nuk do të ketë veto, por do të ketë rivotim dhe vota e Shqipërisë do të ketë një rëndësi ekstreme. Këtu, Shqipëria mund të shkëmbejë votën mbështetëse për një vend të tretë në këmbim të mbështetjes për axhendën e që ka në rajonin tonë.
Mbështetja e Serbisë për Shqipërinë si anëtare e Këshillit të Sigurimit, më e paktë ishte një hap pakujdesie ekstreme dhe askush nuk e ka pyetur Presidentin se përse e mbështetëm”– deklaroi Jeremiç në një intervistë televizive për mediat në Beograd.
Serbia ishte njëra nga 175 vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që votuan pro kandidaturës së Shqipërisë për një prej karrigeve jo të përhershme të rrethit të ngushtë me 15 anëtarë të Këshillit e Sigurimit të kësaj organizate.