Në një intervistë për News24, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, komentoi sekuestrimin e 40 milionë eurove pasuri nga SPAK të të pandehurve të dosjes AKSHI, mes të cilëve ish drejtuesja Mirlinda Karçanaj dhe biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Ai u pyet për deklaratën e kryeministrit Edi Rama se, Mirlinda Karçanaj jeton me qira. Më pas, ai e cilësoi hetimin e thelluar të SPAK si një lajm të mirë, duke shtuar se kjo i shërben në të mirë të shtetit dhe se pastrohet administrata nga njerëz të inkriminuar.
Të lidhura
None found
“Po e marr si një deklarim të sinqertë që atë lloj informacioni se ka patur. Kjo që ka ndodhur është lajm i mirë se sa më shumë thellohen hetimet dhe zbulohet e keqja, më e shëndetshme është për shtetin e shoqërinë. Padyshim që nga pikëpamja e interesit do të thotë mundësi për të pastruar administratën nga njerëz të përfshirë në afera me natyrë kriminale, shpërdorimi e abuzimi të rëndë. Edhe për të thënë moralin dhe integritetin e shtetit. Unë e shoh si gjë pozitive dhe këtu duhet përgëzuar SPAK për hetimet që ka bërë dhe ka arritur të zbulojë fenomene e aspekte që ata që përfshihen përpiqen t’i mbajnë të fshehta”, u shpreh ai.
Më pas, ai u ndal edhe te akuzat se procesi i integrimit është frenuar për shkak të mbrojtjes së bërë ndaj Belinda Ballukut, ish-zv kryeministres dhe ish-ministres së vënë në akuzë nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.
Pyetur për akuzat e opozitës se qeveria po e mban të fshehtë procesin, ai tha se mendon që në këtë aspekt, ka transparencë.
Por, sipas tij, probleme ka në procese të tjera duke përmendur prokurimet publike, dhënien e koncesioneve, dhënien e statusit investitor strategjik etj.
“Ka pretendime se ka një lloj frenimi në IBAR, por nga ana tjetër vetë Marta Kos sapo ka folur dhe ka thënë që Shqipëria vazhdon të ecë me ritmet e duhura drejt integrimit. Unë mendoj se në këtë proces askush nuk duhet të gabojë. Pra edhe nëse për arsye bindjeje apo lidhjesh me natyrë shoqërore, dikush mendon se duke mbrojtur një person i caktuar, kjo nuk mund të dëmtojë procesin e integrimit. Rruga më e mirë është inkurajimi i drejtësisë për të vepruar deri në fund pavarësisht se për kë dhe për çfarë bëhet fjalë.
Sa i përket integrimit, mendoj ka transparencë. Është marrëdhënie dypalëshe, që edhe nëse do të mungonte nga pala jonë do të garantohej nga KE. Por mendoj që në disa procese të tjera mungon transparenca dhe gjykoj që transparenca është një instrument që në fund të fundit garanton integritet se gjërat kur dalin sheshit padyshim që frenojnë të keqen dhe nxisin pozitiven.
Ka nevojë për më shumë transparencë sidomos në dhënien e koncesioneve, e statusit investitor strategjik, në prokurimet publike, mënyrën sesi zgjidhen kompanitë dhe marrin përsipër projekte që financohen nga financat e shtetit. Patjetër që ata që bëjnë vlerësimin, kuptohet që do të japin edhe notën e merituar. Ne mund të themi se deri tani përgjithësisht është mbyllur mirë”, tha ai.
