Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë më 6 dhjetor, Rama: Para disa vitesh, as nuk imagjinohej një gjë e tillë

Samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor do të zhvillohet më 6 dhjetor në Tiranë. Lajmin e bën të ditur presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel përmes një postimi në Twitter.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke thënë se një gjë e tillë, disa vite më parë, as që imagjinohej.

“Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ka bërë publik vendimin e mirëseardhur për organizimin më 6 dhjetor, në Tiranë, të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderat e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel. Por sot Tirana nuk është më ajo e deri disa viteve më parë, po është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si edhe një qytet i ri europian tërheqës për zhvillimin e tij mbresëlënës.

Për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë kjo është një ngjarje absolutisht historike. Për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj. Për vitin 2022 që po shkon drejt përfundimit, kjo ngjarje është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League shtëpinë e kuqezinjve. Ndërsa për mua dhe qeverinë shqiptare, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të Bashkimit Europian&Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur, i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare”, shkruan Rama./albeu.com


Shtuar 24.10.2022 13:26