Sali Berisha pret në shtëpi miqtë nga Kosova: Burrat e mëdhenj nuk e harrojnë kurrë…

Kreu i PD-së, Sali Berisha, edhe pse nën masën e “Arrestit në shtëpi”, ka zhvilluar në banesën e tij një takim në rrugën “Mustafa Matohiti”, ish-ambasadorin e Shqipërisë në Londër, Mal Berisha, së bashku me disa personalitete të shquara të jetës akademike nga Kosova.

Lajmin e ka bërë me dije Mal Berisha përmes një postimi në rrjetet sociale, i cili shkruan se burrat e mëdhenj të Kosovës nuk e harrojnë kurrë Berishën, teksa bën edhe thirrje për lirimin e liderit demokrat.

“Burrat e mëdhenj të Kosovës nuk e harrojnë kurrë Prof. Dr. Sali Berishen, njeriun që mbi gjithçka vuri çështjen e Kombit Shqiptar dhe çlirimin, ndërtimin e shtetit, njohjen e pavarësisë dhe demokratizimin e Republikës së Kosovës.

Sot, ata i bënë një homazh posterit:

“FREE BERISHA – Free the Opposition” si dhe vetë njeriut më të dashur të Kosovës, Prof. Dr. Sali Berisha.

Ata ishin:

• Z. Agim Rexhaj, President Nderi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, “VATRA”.
• Z. Adnan Merovci, bashkëpunëtori më i afërt i Themeluesit të Shtetit të Kosovës dhe sot, biografi i Dr. Ibrahim Rugovës;
• Z. Fadil Geci, bashkëpunëtor i Dr. Ibrahim Rugovës, Luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-Deputet i Parlamentit të Kosovës;
• Z. Gani Geci, bashkëpunëtor i Dr. Ibrahim Rugovës, Luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-Deputet i Parlamentit të Kosovës;
• Z. Hysen Ibrahimi, ish Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë.

Sa krenar na bëjnë burra të tillë të Kosovës sonë të dashur!” – shkruan Mal Berisha.

Vetë Sali Berisha nuk ka bërë asnjë postim në rrjetet sociale në lidhje me këtë takim, i cili bie ndesh me urdhrin e SPAK dhe vendimin e GJKKO-së, që i ndalon takimet me persona të tjerë, përveç familjarëve që jetojnë me të.

Gjithsesi, kjo nuk është hera e parë që Berisha injoron GJKKO-në, vendimin e së cilës e konsideron politik, pasi më herët ka takuar në shtëpinë e tij, edhe persona të tjerë si gazetarin e RAI 3 Giorgio Mottola, ish-eurodeputetin gjerman të CDU-së, Elmar Brok, aktorin Çun Lajçi apo edhe ish-kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu dhe bashkëshorten e tij.


Shtuar 13.08.2024 19:49