Sajoi vjedhjen e karburantit ku punonte, arrestohet menaxheri bashkë me një tjetër

Dy persona janë arrestuar lidhur me vjedhjen me armë që iu bë një karburanti në aksin Tiranë Durrës gjatë ditës së djeshme. Një prej personave të arrestuar është menaxheri i karburantit, i cili sajoi vjedhjen për shkak se duhet të lante borxhet që kishte marrë pas lojërave të fatit.

Personat e arrestuar janë Gert Farruku, 23 vjeç, menaxheri i karburantit; Arsid Haxhija, 22 vjeç, pronari i lokalit që organizonte lotari të palejuara, ku dyshohet se shtetasi Gert Farruku ka humbur shuma të mëdha parash duke luajtur loto.

Njoftimi i policisë:

Policia zbardh në kohë rekord vjedhjen me dhunë të kryer ditën e djeshme në një karburant në autostradën Tiranë – Durrës.

Vihet në pranga menaxheri i firmës, i cili kishte simuluar ngjarjen me qëllim justifikimin e shumave të mëdha të parave të xhirove ditore që i kishte humbur duke luajtur lojëra fati.

Gjithashtu vihet në pranga edhe pronari i lokalit që ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ku menaxheri i karburantit kishte humbur lekët duke luajtur lojëra fati.

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e datës 06.06.2021, në një karburant, ku u vodh me dhunë një shumë e madhe parash, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve të shpjeta hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, brenda një kohe të shkurtër u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes.

Në bazë të provave të grumbulluara u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. F., 23 vjeç dhe A. H., 22 vjeç.

Nga hetimet e kryera dhe mbledhja e të gjitha provave procedurale është konstatuar se në momentin e vjedhjes një person i maskuar ka zbritur nga një mjet dhe i ka vjedhur me dhunë xhiron ditore shtetasit G. F., 23 vjeç, menaxheri i kompanisë.

Në vijim të hetimeve ka rezultuar se shtetasi G. F., për një periudhë 2-mujore ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi. Shumën e lekëve të përfituara nga mosdeklarimi, ky shtetas e ka luajtur në lotari të palejuara në lokalin e shtetasit A. H., i cili ka përfituar shuma të mëdha parash nga shtetasi G. F.

Menaxheri i firmës, shtetasi G. F. dyshohet se e ka organizuar vjedhjen për të larë borxhet që ka patur në loto.

Nga ana e grupit hetimor vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” në ngarkim të shtetasit G. F., dhe “Organizimi i lotarive të palejuara” në ngarkim të shtetasit A. H.


Shtuar 7.06.2021 09:39