Shtyhet sërish procesi gjyqësor për çështjen e 21 prillit 2021 me protagonist kryesor Arber Paplekajn, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit.
Shkak ishte kërkesa e prokurorisë për të marrë me shumë kohë në dispozicion për dhënien e mendimit për kërkesat paraprake të avokatëve të të pandehurve.
Kujtojmë se dosja e 21 prillit 2021 po shqyrtohet e gjitha bashkë përfshirë edhe punonjësit e policisë. Mirash Martini avokati i Paplekajt ka kërkuar heqjen e çështjes nga Gjykata e Elbasanit. Ai i është drejtuar me një kërkesë gjykatës së Lartë dhe gjykatës së Elbasanit. Gjykata e Elbasanit nuk mund të vendosë largimin e çështjes kështu që në lidhje me këtë kërkesë pritet të shprehet Gjykata e Lartë.
Në 21 prill të vitit 2021, gjatë një përplasje me armë mes dy grupimeve politike mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, ndërsa mbetën të plagosur 4 persona të tjerë mes të cilëve edhe një punonjëse policie.
Pas ngjarjes, në polici u vetëdorëzua Arbër Paplekaj, shoqërues i drejtuesit politik të PD të Elbasanit në atë kohë Gazmend Bardhit.