Ditën e sotme, do zhvillohet seanca e rradhës gjyqësore ndaj Safet Gjicit, ish-kryebashkiakut të Kukësit i cili ka kërkuar lirinë dhe qëndrimin, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore në shtëpi për pjesën e mbetur të dënimit.
Në seancën e fundit, u administruan aktet shëndetësore nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe seanca e rradhës u vendos të zhvillohet sot në ora 11:45 me qëllim për t`u paraqitur ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, për të bërë betimin tre mjekë dhe më pas Gjykata e Elbasanit do u ngarkojë atyre detyrat për përpilimin e një raporti mbi gjendjen shëndetësore të kerkuesit Safet Gjici.
Ish-kryebashkiaku i dënuar me 3 vite burgim ka ende për të shlyer 1 vit e 2 muaj dënim të mbetur, ndërkohë aktualisht ai gjendet i hospitalizuar në një spital privat.
Sipas avokatit, ish-kryebashkiaku i Kukësit vuan nga probleme të sistemit kardiovaskular, zmadhim të aortës dhe diabet të formës së rënduar.
Avokati shprehet se këto problematika Gjici i ka vuajtur edhe më herët, por gjendja e rënduar psikologjike në burg ka rënduar edhe gjendjen e tij shëndetësor.