Rusia nuk ka qenë asnjëherë Evropë, gjeografikisht dhe politikisht kontinenti përfundon në Ukrainë

Nga Thibault Muzergues “Formiche.net

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në luftë nuk mund të bësh gjoja. Në këtë kuptim një konflikt ushtarak është gjithmonë një tregues i fuqive dhe dobësive të vërteta të një kombi. Lufta e Rusisë në Ukrainë është një shembull i përsosur i kësaj. Por ajo tregon edhe hendekun e madh midis ambicieve dhe aftësive të Moskës.

Vladimir Putin donte që t’i dëbonte amerikanët nga Evropa Lindore (dhe ndoshta nga kontinenti), por arriti t’i bashkojë perëndimorët pas NATO-s. Ai donte që të ri-impononte sferën e tij perandorake, dhe në fakt arriti të dëbojë Rusinë nga hapësira e përbashkët e sigurisë së Evropës.

Sot askush nuk argumenton me zë të lartë se kjo e fundit shtrihet “nga Lisbona në Vladivostok”. Përkundrazi tani arkitektura e sigurisë së pasluftës së kontinentit po përgatitet të vazhdojë përpara pa Rusinë. Ai bazohet tek projekti (ri)lindur i Komunitetit Politik Evropian i promovuar nga Franca.

Kontinenti do të organizohet në një zonë paqeje që nuk përfshin Moskën, e cila disa vite më parë konsiderohej ende një partner thelbësor për sigurinë në Romë si në Berlin apo Paris. Qoftë qëllimisht apo nën presionin e ngjarjeve, Evropa po mëson tani të imagjinojë të ardhmen e saj pa Rusinë.

Nëse Zbigniew Brzezinski shkruante në vitet 1990 se pa Ukrainën Rusia do të pushonte së qeni një perandori, realiteti është se pa Ukrainën ose shtetet baltike, Rusia nuk mund të jetë evropiane. Një realitet historik që ka qenë i vështirë për t’u pranuar, por jo vetëm nga ne në Evropën Perëndimore.

Kjo sepse në Romë, Paris apo Berlin preferonin ta imagjinonin Rusinë jo siç ishte në realitet, por siç donin të ishte, në një imagjinar romantik të bazuar në klishe, të oborrit antik të Shën Petërburgut, të letërsisë apo baleteve ruse (të asimiluara shumë lehtë me kulturën evropiane), apo edhe në kujtesën e përvojave traumatike të shekullit XX-të.

Në fakt, ideja e një Rusie evropiane ka qenë e gabuar që në fillim. Ndaj diagnoza fillestare ishte e gabuar. Shumë prej tyre e kanë cilësuar Rusinë si një vend kulturalisht evropian dhe gjeografikisht euroaziatik, kur në realitet Rusia është kulturalisht dhe gjeografikisht një perandori euroaziatike.

Dhe kjo perandori ruan marrëdhëniet e saj të distancuara me Evropën, e cila është një alter ego me të cilën rusët e përkufizojnë vazhdimisht veten, si për sllavofilët që kërkojnë një Sonderweg rus në kontrast me liberalizmin evropian, po ashtu edhe për perëndimorët, fiksimi i të cilëve mbetet konfrontimi me Perëndimin.

S’ka asnjë dyshim se këto 3 shekujt e fundit, rusët kanë ditur të përfshihen dhe ndërhyjnë në çështjet evropiane: ata kanë pasur sukses falë fushatave të tyre ushtarake, nga Pjetri i Madh te Stalini, por edhe kur perandoria integroi elitat evropiane (baronët gjermanë balltikë, emigrantë francezë ose italianë, inteligjencë ukrainase etj.) rusët u modernizuan, pra u evropianizuan.

Por si shtet Rusia e ka menduar gjithmonë veten si një bllok euroaziatik, duke u përpjekur të hapë një dritare drejt Evropës. Pa territore të rrënjosura fort në Evropë, pa një elitë evropiane të importuar dhe integruar në Rusi, e vërteta është se Moska është bërë shumë më pak evropiane dhe shumë më tepër euroaziatike.

Sigurisht, shumë analistë e kanë kundërshtuar këtë ide, duke përmendur për shembull aspiratën e Mikhail Gorbachev për të qetësuar “shtëpinë e përbashkët evropiane”. Por edhe ky ishte një iluzion: në ato kohë, Bashkimi Sovjetik (dhe për rrjedhojë Rusia) ishte tashmë një perandori euroaziatike, edhe pse dominonte Evropën Lindore, dhe rrjedhimisht ishte një lojtare joevropiane me një rol kyç në sigurinë evropiane, pikërisht për shkak të pushtimit të gjysmës së kontinentit.

Sot nuk është më kështu, dhe këtë e tregon disfata ruse në Ukrainë: pas kësaj lufte, Rusia nuk do të jetë në gjendje të kthehet në Evropë. Ta mendosh këtë mund të duket paradoksale: të gjithë kemi mësuar se gjeografia e kontinentit evropian shtrihet, në mos nga Libsona në Vladivostok, të paktën nga Lisbona në Urale.

Por Uralet nuk janë Mesdheu (që nuk ka qenë gjithmonë një kufi), dhe përcaktimi i kufijve të Evropës me këtë varg malesh është një zgjedhje arbitrare. Grekët e lashtë i përcaktuan kufijtë midis Evropës dhe Azisë me lumin Tana, të cilin sllavët e quajtën Don.

Zgjedhja e grekëve duket e ndjeshme edhe sot, pasi gjendet midis pellgut të Donit dhe atij të  Dnieper, zonë për të cilën po lufton Rusia në Ukrainë. Por s’ka pse të shkohet kaq larg në të kaluarën për të menduar për një Evropë pa Rusinë. Këtë e bëjnë vetë rusët, të cilët  nuk e quajnë më veten evropianë.

Në Librin e Bardhë të vitit 1999 mbi strategjinë e saj ndaj Bashkimit Evropian (pra para se të ngjitej në pushtet Vladimir Putin), Rusia e përkufizoi veten jo si një aktore evropiane, por si “një fuqi botërore që shtrihet në dy kontinente, e cila ruan dhe mbron pavarësinë e saj”.

Pra karakteri euroaziatik i vendit ishte përkufizuar shumë qartë, dhe Moska tashmë e përkufizoi veten në kundërshtim me një Bashkim Evropian mbi-kombëtar, të rrënjosur në kontinentin evropian dhe të përkushtuar ndaj multilateralizmit.

Që nga viti 1999, kjo opozitë vetëm sa është forcuar me kalimin e kohës, si nëpërmjet afirmimit të pushtetit autoritar dhe më pas autokratik të Vladimir Putinit, por edhe nëpërmjet promovimit të një modeli rival të integrimit ekonomik (Bashkimi Euroaziatik) dhe vlerave të veta politike, si dhe me kontestimin e kufijve ndërkombëtarë që nga viti 2008 dhe pushtimin e Gjeorgjisë.

Lufta në Ukrainë vetëm sa e konfirmoi një prirje që u shfaq ngadalë në vitet 2010. Ajo që po shohim sot tregon se Rusia e ka dëbuar veten nga Evropa, dhe asnjë skenar i ardhshëm nuk lejon që ajo të konsiderohet e ri-integruar në arkitekturën politike, e lëre më pastaj në arkitekturën e sigurisë së kontinentit.

Ashtu si pas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917 (që pati të njëjtat efekte), pushtimi rus i Ukrainës u kujtoi evropianëve një realitet themelor: Rusia nuk është evropiane dhe ndoshta nuk ka qenë kurrë e tillë, përveç perëndimorizimit të një pjese të elitave të saj në shekujt XVIII-XIX dhe për pushtimin e territoreve evropiane.

Prandaj Evropa duhet të mendojë për veten dhe për fatin e saj pa Rusinë. Kjo e fundit duhet të shihet si një fuqi e huaj, si një alter ego që duhet mbajtur në distancë dhe përballë së cilës ajo duhet të jetë e fortë. Kjo qasje nuk na pengon të kemi shkëmbime afatgjata, por gjithmonë me vetëdijen se rusët nuk janë një nga ne, dhe se Moska nuk i përmbahet vlerave tona të përbashkëta.

Çdo marrëdhënie me të do të duhet të jetë brenda kornizës së marrëdhënieve të jashtme dhe ekuilibrit të fuqisë, dhe jo të sigurisë shumëpalëshe evropiane. Ideja e një Evrope që shtrihet nga Lisbona në Vladivostok është një koncept i euroaziatistit Alexander Dugin. Vetë termi është mashtrues, sepse përshkruan idenë e një Euroazie që shkon nga Lisbona në Vladivostok dhe qendra e së cilës do të ishte Moska. Pas luftës në Ukrainë, i vetmi koncept i pranueshëm do të jetë ai i një Evrope që shtrihet nga Atlantiku në Don.

Shënim:Thibault Muzergues, drejtor i zyrës së Institutit Republikan Ndërkombëtar në Romë dhe autor i librit “Lufta në Evropë”.

/albeu.com


Shtuar 27.03.2023 07:02