Shqipëria vijon të ketë nivelin më të lartë të varfërisë në Europë, ndërsa politikat sociale të qeverisë kanë lënë pa mbështetje të mjaftueshme mijëra familje me pensione të ulëta dhe përfitues të ndihmës ekonomike.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, numri i familjeve që marrin ndihmë ekonomike është pakësuar me 21 për qind gjatë periudhës 2023-2025.
Të lidhura
None found
Në vitin 2025, skema përfshinte 43,648 familje, nga 55,410 që ishin regjistruar në vitin 2023.
Gjatë kësaj periudhe, fondi i dedikuar për ndihmën ekonomike u reduktua nga 4,8 miliardë lekë në vitin 2023 në 3,8 miliardë lekë në vitin 2025, duke shënuar të njëjtën tkurrje prej 21 për qind.
Ky shkurtim nuk u shoqërua me rritjen e pagesës për familjet që vijuan të përfitonin. Masa mujore mbeti pothuajse e pandryshuar, në 7.253 lekë për familje në vitin 2025, në një nivel të përafërt me atë të dy viteve më parë.
Për rrjedhojë, ulja e fondit është reflektuar kryesisht te numri i familjeve të përfshira në skemë dhe jo te rritja e shumës që merr secila prej tyre.
Niveli i kësaj pagese duket edhe më i ulët kur krahasohet me standardet ndërkombëtare. Banka Botërore e ka përcaktuar në 8,30 dollarë në ditë për person, sipas çmimeve dhe paritetit të fuqisë blerëse të vitit 2021, pragun e varfërisë për vendet me të ardhura të mesme të larta, ku përfshihet edhe Shqipëria.
Ky prag përkthehet në 58,10 dollarë në javë ose rreth 249 dollarë në muaj për person. Në Shqipëri, ndërkohë, ndihma ekonomike mesatare është vetëm 7.253 lekë në muaj për familje, shumë më poshtë nivelit të nevojshëm për një jetesë dinjitoze të shtresave më të varfra.
Edhe pse vendi nuk ka një prag kombëtar të përcaktuar të varfërisë, rritja e kostove të jetesës, veçanërisht pas pandemisë, e ka bërë të pamjaftueshme pagesën mujore prej 7,2 mijë lekësh. Kjo shumë nuk mbulon as faturat e energjisë dhe ujit, ndërsa nuk siguron as plotësimin e nevojave bazë.
Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në vlerësimet e tyre periodike për Shqipërinë, kanë kërkuar forcimin e mbrojtjes sociale dhe një shpërndarje më të ekuilibruar të të ardhurave që krijohen nga rritja ekonomike. Të dhënat zyrtare tregojnë se, në të kundërt, shtresa më e varfër e shoqërisë nuk po përfiton nga zgjerimi i ekonomisë dhe rritja e të ardhurave në buxhet.





