Rritet popullsia e moshuar, bie grupmosha 0-15 vjeç

Popullsia e vendit po tkurret nga viti në vit, por brenda totalit grup mosha deri në 15 vjeç po tkurret me shpejtësi, teksa ajo mbi 65 vjeç po rritet me shpejtësi.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në janar të vitit 2021 popullata nga 0-15 vjeç u pakësua me 11.5 mijë persona me një tkurrje 2.4 për qind në raport me një vit më parë, ndërsa grupmosha 65+ shënoi një rritje të mprehtë me më shumë se 14.6 mijë persona ose me rreth 2.4 për qind.

Rënia e popullsisë në moshat e reja, u zëvendësua nga rritja e moshës së tretë. Kjo tendencë, e cila po nxitet nga rënia e numrit të lindjeve, emigracioni i të rinjve dhe nga rritja e jetëgjatësisë do të vijë me e mprehte këtë 10 vjeçar.

Nga njëra anë sistemet arsimore do të lehtësohen nga numri i nxënësve. Në ciklin parashkollor në nivelet e tjera të arsimit do të ketë më pak nxënës, duke krijuar kushtet për rritjen e cilësisë së shërbimeve.

Në të kundërt rritja e popullsisë mbi 65 vjeç do të vëre para një sprove të re infrastrukturën e Shqipërisë e cila nuk është gati ende për të përballuar valën e lartë popullsisë së moshuar dhe nevojave që ajo ka, teksa numri i pensionistëve vjen në rritje vit pas viti.

Të ardhurat nga kontributet shënuan rënie me 1.6% më 2020 dhe shpenzimet u rriten me 1.5 për qind, për rrjedhojë deficiti i skemës u thellua dhe subvencioni nga buxheti i shtetit u rrit. Financimi i buxhetit të shtetit në skemën e sigurimeve arriti në 29 miliardë lekë me një rritje mbi 14% në raport me 2019.

Nga viti 2010-2020 përfituesit në skemën e pensioneve u rriten me 22%, por ndërkohë pagesat për një pensionist kanë nisur rënien.

Në realitet, situata është edhe më e rënduar, pasi nga viti 2011 deri në 2019, janë larguar nga vendi 360 mijë persona, sipas një ankete të posaçme të INSTAT për emigracionin. Vetëm 1.6% e të larguarve ishin në moshë pensioni. Këto zhvillime tregojnë se, mosha e popullsisë mbi 65 vjeç, në përqindje të totalit të popullsisë, është më e madhe se treguesit zyrtarë. Me rënien e lindshmërisë dhe emigracionin në nivele të larta, popullsia totale do të ulet, ndërsa personat në moshë pensioni, sipas skenarëve optimistë të INSTAT, do të zotërojnë 21% të popullsisë deri në vitin 2030.

Europa po përballet me të njëjtin trend, por shumë vende, sidomos ato në BE kanë bërë përpara me politikat për të përballuar këtë ndryshim, Shqipëria do ta ketë të vështirë përshtatjen për shkak të mungesës së burimeve të kufizuara financiare dhe të vizionit për të përballuar ndryshimin e strukturës së popullsisë në favor të moshave të vjetra. Kombet e Bashkuara dhanë alarmin se, qeveritë dhe shtetet kudo në botë nuk janë përgatitur për të administruar moshën e tretë, edhe në aspektin social dhe atë ekonomik./Monitor


Shtuar 21.05.2021 08:10