Procesi i bashkimit të kompanive Albtelecom dhe “One” nën logon e re ONE Albania duket të jetë kthyer në një dështim total në aspektin teknik si edhe atë të sigurisë duke lënë në baltë mijëra abonentë, ndërsa ka shqetësime nga ekspertët se kjo mund të sjellë edhe cënim të sigurisë kiombëtare për shkak të rrjedhjes së të dhënave.
Më hërët, AlbEu raportoi mbi problemet që po hasnin abonentët e Albtelecom që duhej të bashkoheshin në ONE Albania, të cilët kanë mbetur pa sinjal për ditë, javë, madje edhe muaj të tërë siç është shembulli i numrit 0682930***, përdoruesi i të cilit ka shprehur shqetësimin edhe pranë redaksisë sonë.
LEXO EDHE: Kaos me numrat e ONE Albania, mijëra abonentëve iu hiqet sinjali: Probleme të theksuara teknike pas bashkimit, pse po ndodh kjo
Numri në fjalë ka disa muaj që nuk ka sinjal dhe si ai janë mijëra të tjerë për shkak të dështimit të procesit teknik të bashkimit të dy kompanive në një.
Pse ka dështuar?
Kompania njoftoi abonentët se më datë 1 prill të gjitha numrat Albtelecom do të kalonin në ONE Albania dhe kjo kërkon një process teknik të komplikuar për të mos shkaktuar dështime rrugës. Duket se ONE Albania ka tentuar të instalojë një sistem tjetër nga një vend i lindjes, gjë e cila ka bërë që të dështojë gjithçka.
Siç mëson AlbEu problemi ka nisur po ashtu edhe për faktin se është vërejtur një “crash” mes numrave të njëjtë që ishin në Albtelecom me prefix (067) me ata që janë në ONE Albania me prefiks (068).
E gjithë kjo rrëmuje me numrat dhe ndërprerje të shërbimit për abonentët është shoqëruar me akuza të forta nga vetë abonentët e Albtelecom dhe ata të ONE, të cilët tashmë kanë mbetur pa sinjal pavarësisht se kanë paguar.
AlbEu kontaktoi një ekspert të fushës, i cili shpjegoi se në të vërtetë bashkime të tilla mes kompanive celulare mund të ndodhin, por janë të shmangshme nëse përgjegjësit marrin masat e duhura.
“Problemet që mund të ndodhin janë për shembull mossinkronizimet; probleme me faturimin, etj., ajo që më çudit lidhet me faktin se kompania në fjalë ka eksperienca të mëparshme në këtë sektor dhe s’duhej të kishte dështuar në Shqipëri”, shprehet ai.
Në faqen e Facebook të ONE Albania kanë vërshuar ankesat e abonentëve, të cilët kërkojnë shpjegime për ndërprerjen e sinjalit.
Nga ana tjetër, konkurrenti i ONE Albania në treg ka nisur një fushatë agresive të bartjes së abonentëve duke shfrytëzuar situatën e krijuar.
AlbEu mëson se qindra abonentë të ONE Albania po marrin telefonata nga konkurrenti për të bartur numrin, një praktikë kjo e ndaluar nga AKEP, por që duket normale pas kaosit të shkaktuar gjatë procesit të bashkimit të ONE Albania. /albeu.com