Ambasada shqiptare në Itali ka bërë një njoftim të rëndësishëm përsa i përket rregullave anti-Covid për udhëtimet nga Shqipëria në Itali e anasjelltas.
Sipas ambasadës, nga 22 prilli deri më 30 prill 2021, nëse nuk do ketë shtyrje, është e detyrueshme për ata që hynë në Itali nga Shqipëria që të pajisen një test molekular ose antigjenik negativ, i cili duhet të jetë kryer përmes tamponit brenda 48 orëve përpara hyrjes në territorin italian.
Nuk duhet të kryejnë tamponin ata që: hynë në Itali dhe qëndrojnë për një periudhë jo më shumë se 5 ditë për nevoja të dëshmuara pune, shëndeti apo urgjencë absolute.
Nuk duhet të kryejnë tamponin ata që: udhëtojnë tranzit në territorin italian me mjetin e tyre privat dhe nuk qëndrojnë më shumë se 36 orë.
Nuk duhet të kryejnë tamponin: fëmijët nën moshën 2 vjeç.
Nuk duhet të kryejnë tamponin ata që: kthehen nga Shqipëria, ku kanë udhëtuar për motive të dëshmuara pune për një periudhë qëndrimi jo më shumë se 5 ditë, për llogari të ndërmarrjeve dhe shoqërive që kanë zyrat qendrore apo dytësore në Itali.
Njoftohet gjithashtu se periudha e karantinës është ulur nga 14 në 10 ditë, në fund të së cilës është e detyrueshme të kryhet test molekular ose antigjenik përmes tamponit.