Bazuar në një marrëveshje Kosovë-Serbi Policia e Kosovës ka integruar në radhët e saj ish-punonjës të strukturave paralele serbe. Shpërndarja e tyre në detyrë bëhet zakonisht në vendbanimet me shumicë serbe.
Prej më shumë se 22 vitesh që nga themelimi i saj, Policia e Kosovës nuk është ballafaquar asnjëherë me çështje disiplinore të brendshme, të cilat të kenë pasur si motiv problemet ndëretnike. Policia e Kosovës në përbërjen e saj ka pjesëtarë nga të gjitha pakicat etnike një pjesë e mirë e tyre edhe nga komuniteti serb.
Rreshteri i policisë, Boban Simonoviq, vjen nga komuniteti serb dhe është pjesëtar i Policisë së Kosovës që nga nëntori i vitit 2000. Ai punon në Stacionin Policor në Graçanicë deri më vitin 2019. Në këtë stacion punojnë zyrtarë policorë të etnive të ndryshme.
Raportet ndërnjerëzore në Policinë e Kosovës
Me një shqipe të rrjedhshme Simonoviq tregon se gjatë këtyre viteve ka punuar së bashku me kolegët shqiptarë dhe thote se raportet janë të shkëlqyera me të gjithë kolegët e të gjitha komuniteteve.
“Gjithmonë kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera me kolegët e mi, gjë që më ka ndihmuar në zgjerimin e njohurive profesionale për kryerjen e detyrës policore lehtësisht, duke e njohur mentalitetin e komuniteteve që u shërbej, në ofrimin e sigurisë.”
Gjuha shqipe ndihmë e madhe
Rreshteri i policisë Boban Simonoviq shton edhe se gjuha shqipe e ka ndihmuar në të gjitha aspektet jetësore.
“Kam lindur në Prishtinë, ku kam jetuar deri në vitin 1999. Aty kam mësuar gjuhën shqipe dhe kjo më ka ndihmuar shumë në komunikim me kolegët dhe qytetarët, në situata të ndryshme, gjatë punës time profesionale. Gjatë këtyre viteve të punës në Policinë e Kosovës, kam krijuar miqësi të madhe me kolegë të të gjitha komuniteteve që janë pjesëtar të PK-së, dhe ata më kanë ndihmuar shumë si profesionalisht, ashtu edhe privatisht”, tregon Simonoviq.
Asnjë incident me sfond ndëretnik brenda policisë
Edhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Mitrovicës Veri, majori Besim Hoti, thotë se raportet ndëretnike brenda policisë së Kosovës janë të mira dhe vlerëson lart bashkëpunimin mes zyrtarëve policorë shqiptarë dhe serbë.
“Raportet mes pjesëtarëve të policisë së Kosovës, në kuadër të DRP Mitrovicë Veri, janë në nivelin më të mirë të mundshëm. Zyrtarët policorë ndihmojnë njëri-tjetrin edhe sa i përket gjuhës së komunikimit, por edhe raporteve të punës. Nuk kemi regjistruar asnjë incident të karakterit ndëretnik mes zyrtarëve policorë”, thotë Hoti.
Sfidat e policëve serbë
Dejan Jankoviq, pjesëtar i komunitetit serb, është zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës. Ai është pjesë e Policisë së Kosovës, prej fundvitit 1999 dhe fillimisht ka shërbyer në Stacionin Policor të Shtërpcës.
“Një nga arsyet kryesore për t’iu bashkuar SHPK-së ishte se kishte shumë pak pjesëtarë të policisë së UNMIK-ut, dhe SHPK-ja ishte vetëm pak, dhe se siguria ishte në nivel shumë të ulët. Gjithashtu, kisha një dëshirë të madhe për të ndihmuar komunitetin tim, duke shërbyer në polici”, rrëfen Jankoviq.
Dejan Jankoviq kujton sfidat me të cilat janë ballafaquar ai dhe kolegët e tij të komunitetit serb, dhe jo vetëm. “Në fillim të karrierës sime policore, unë dhe kolegët e mi hasëm në bojkot në komunitet, dënime, si dhe sulme verbale e ofendime të përditshme. Edhe pse nuk kishte probleme të mëdha në trajnimin bazë në Vushtrri, në terren kishte një ndjenjë të ndarjes dhe intolerancës së caktuar në mesin e kolegëve nga bashkësitë e ndryshme etnike. U deshën shumë vite për të fshirë këtë intolerancë të shkaktuar nga paragjykimi dhe për të krijuar një marrëdhënie të vërtetë kolegjiale”, tregon Jankoviq.
Megjithë vështirësitë ai thotë se nuk e humbi vendosmërinë për të shërbyer në policinë e Kosovës. Në shtator 2005 ai u ngrit në gradën kolonel dhe u emëra në postin e komandantit rajonal në Gjilan. Më pas u emërua në detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme ku shërbeu dy vjet.
Kolonel Jankovic pohon se i është dashur vullnet dhe durim për t’i kapërcyer të gjitha barrierat dhe për të fituar besimin të cilin sot e gëzon nga të gjithë kolegët.
“Edhe pse në fillim kishte dyshime për besnikërinë time, besoj se me durimin dhe punën time të palodhur, me vizionin dhe vlerat që kam, arrita të kapërcej disa pengesa dhe të arrij edhe pozicione komanduese në Policinë e Kosovës”, thotë Jankoviq.
Integrimi i komuniteteve në Policinë e Kosovës
Në zbatim të marrëveshjeve politike të arritura në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, policia e Kosovës ka integruar në radhët e saj 287 ish-punonjës të strukturave paralele që kanë punuar në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Ata fillimisht janë trajnuar dhe më pas janë pozicionuar në punë e detyra të ndryshme në Policinë e Kosovës.
Shpërndarja në detyrë dhe vende pune e policëve serbë bëhet zakonisht në vendet ku jeton komuniteti serb, në mënyrë që shërbimi të jetë më i mirë dhe i besueshëm, sqaron Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.
Një shembull është njësia e Specializuar në kuadër të Marrëveshjes për Trashëgimi Kulturore e Fetare, që merret ekskluzivisht me ruajtjen e 24 kishave dhe manastireve ortodokse serbe në Kosovë. Kjo njësi drejtohet nga një serb.
Pjesëtarët e komunitetit serb në Policinë e Kosovës, janë të përfaqësuar edhe nëpër shumë pozita udhëheqëse në kuadër të Policisë së Kosovës, nga niveli qendror deri tek ai lokal. Në mesin e tyre ka të graduar: Kolonel, Nënkolonel, Major, Kapiten, Toger dhe Rreshter.
Ndikimi emocional te policët e komunitetit serbë
“Zakonisht policët e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës Veri nuk janë të kyçur në operacionet që kanë të bëjnë me shtrirjen e sovranitetit në Veri, pasi ato zhvillohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës me njësi elite (për shkak të shkallës së rrezikshmërisë dhe po ashtu për të mbajtur informacionet e klasifikuara), ndërsa për operacionet e tjera, varësisht nga natyra e operacionit, nganjëherë edhe janë pjesë e operacioneve. Ndërsa, ata i kryejnë punët rutinore në situata normale”, sqaron ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj,
Historiku i Policisë së Kosovës
Policia e Kosovës, apo siç njihej në atë kohë Shërbimi Policor i Kosovës – SHPK, u themelua si një organizatë e re dhe shumë etnike me 6 shtator të vitit 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Përgjegjësinë për themelimin e këtij institucioni, e kishte marrë misioni i UNMIK-ut mbi bazën e rezolutes 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ndihmë të madhe në ndërtimin e SHPK-së kishte dhënë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila ishte pjesë integrale e UNMIK-ut. Qëllimi ishte formimi i një force moderne policore, që do rriste besimin në zbatimin e ligjit. Tash Policia e Kosovës numëron mbi tetë mijë pjesëtar, ku mbi 15% prej tyre janë pjesëtarë të pakicave./ Marrë nga DW