Ziadin Sela ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i kryetarit të Aleancës për Shqiptarët.
Lajmin ai e dha në konferencën e sotme për shtyp në Tetovë.
Sela theksoi se dorëheqja e tij vjen si pasojë e rezultatit në zgjedhjet për këshilltar komunal në Tetovë, ku ASH nuk arriti të merr asnjë këshilltarë.
“Unë i qëndroj asaj që kam thënë që edhe gjatë fushatës, që Tetova nuk është vetëm një komunë, Tetova nuk është vetëm një qytet, është për tej kësaj, të paktën kështu duhet të jetë. Kam dëgjuar që kanë qarkulluar zëra dhe informacione nëpër portale, po është e vërtet. Unë nga ky moment jap dorëheqje të parevokueshme nga kryetari i Aleancës për Shqiptarët”, deklaroi Sela.
Ai shtoi se partia do të mbajë Kuvendin Qendror, ku pritet të emërohet ushtruesi i detyrës kryetar i partisë.
I pyetur nëse do të jetë kandidat për kryetarë sërish, Sela tha se këtë nuk e lejon statuti i partisë, ndërsa pohoi se bashkë me dorëheqjen e tij “pushon së funksionuari edhe kryesia e partisë”, e zgjedhur nga ai.
Ndërkohë mbetet për t’u parë se kush do të jetë kryetari i ri i Aleancës për Shqiptarët./albeu.com/