Eksportuesit e bimëve mjekësore vijojnë të përballen me gjetjen e lëndës së parë për të përballuar kërkesën e tregjeve të huaja. Për shkak të reduktimit të bimëve të kultivuara, kompanitë po rrisin importet. Shoqata e Bimëve Medicinale kërkon që fermerët të mbështeten me subvencione direkte dhe të rikthehet skema e TVSH-së së rimbursueshme
Dorina Azo
Buxheti i vogël për sektorin e bujqësisë dhe mungesa e subvencioneve direkte për fermerët po ndihet nga industritë e ekonomisë. Por kompanitë më të mëdha në vend janë të shqetësuara nga rënia e kultivimit të bimëve mjekësore dhe për të përballuar kërkesën e eksporteve janë të detyruara të shtojnë importet.
Tkurrja e prodhimit është ndikuar nga shpopullimi i zonave malore, emigrimi i fermerëve, mungesa e subvencioneve, rritja e çmimeve të inputeve bujqësore dhe Paketa Fiskale 2022.
Eksportet e bimëve mjekësore shënuan rritje 14% në 2020 kur nisi pandemia në raport me 2019, por industria humbi mundësinë “e artë” për të shfrytëzuar hapësirat e krijuara në tregun europian dhe më gjerë të bimëve mjekësore.
Pamundësia e eksportuesve për të investuar në makineri dhe për të rritur shkallën e përpunimit të produktit final ndikoi në humbjen e shansit të sektorit për të konkurruar me rajonin.
Sipas të dhënave të doganave, eksportet e bimëve mjekësore në vitin 2021 u rritën 6% krahasuar me vitin e kaluar. Për vitin 2022, kryetari i Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike, Filip Gjoka, tha për “Monitor” se trendi rritës i eksporteve 6-7% do të mund të garantohet vetëm me rritjen e importit të bimëve mjekësore, pasi në vend ekziston mungesë e theksuar e lëndës së parë.
Për kreun e Shoqatës së Bimëve Medicinale është shqetësuese heqja e skemës së kreditueshme të TVSH-së 6%, që do të shtojë pesimizmin e fermerëve për të kultivuar tokat bujqësore. Arsye tjetër e rënies së prodhimit vendas mbetet shpopullimi i zonave malore, por edhe ikja e fermerëve në emigracion.
“Nga viti në vit, importi i bimëve që më pas rieksportohen është rritur. Për 2021, vlera e importeve ishte 2 milionë dollarë dhe parashikohet të zgjerohet edhe në vitin 2022. Sipërmarrësit importojmë mëllagën e bardhë, dëllinjën e zezë, rigonin, rozmarinën nga Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Tunizia dhe Ukraina, pasi tokat në vend janë djerr.
Kompanitë janë të detyruara të importojnë lëndë të parë nga Kosova, Mali i Zi, Tunizia, Ukraina dhe vende të tjera me qëllim që të përmbushim kërkesat e tregut të huaj që bashkëpunojmë prej 30 vitesh”.
Vendi kryesor i eksporteve është Gjermania. Për 2020-n, rreth 32% e produkteve të këtij grupi u eksportuan në Gjermani, SHBA dhe rreth 10% e tyre në Turqi dhe Francë.