VIDEO / Rëndohet bilanci, shkon në dy numri i shqiptarëve të vrarë në Itali, pamje nga vendngjarja

ITALI-Rëndohet bilanci. Shkon në dy numri i shqiptarëve të vrarë pas përplasjes me armë të ndodhur mbrëmjen e sotme me një grup marokenësh në qendër të qytetit të Frosinones. Dy të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.

Njëri prej shqiptarëve ndërroi jetë në vendngjarje ndërsa tjetri në spital.

La Repubblica shkruan se viktimat dhe të plagosurit ishin ulur në një tavolinë në restorant. Ndërsa menjëherë kanë ardhur me një makinë tip “Lancia” grupi i marokenëve të  cilët janë përplasur fizikisht me shqiptarët dhe një prej tyre nga makina ka qëlluar me armë zjarri kundrejt shqiptarëve.

Për ngjarjen reagoi edhe kryebashkiaku i Frosinones i cili tha se ishte i shokuar nga krimi i rëndë që ndodhi në lokalin më të frekuentuar nga të rinjtë e qytetit.

“Jam i shokuar, nuk mund të them asgjë. Për mua kjo që ndodhi është e pashpjegueshme. Është një plagë për të gjithë qytetin. Mund të konfirmoj që nesër në mëngjes do të flasim me prefektin”, tha Riccardo Mastrangeli.

Ende nuk dihet identiteti i shqiptarëve të vrarë dhe i të plagosurve. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie të cilat kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të krimit të rëndë që tronditi vendin.

Gjithashtu mediat italiane kanë publikuar pamjet nga vendngjarja. Siç shihet në video, trupi i shqiptarit të ekzekutuar është ende në vendin e ngjarjes. Ndërsa ekspertët në vendngjarje po merren me hetimin për zbardhjen e ngjarjes./albeu.com


Shtuar 9.03.2024 22:35