Policia e Kosovës e ka cilësuar si ‘vdekje të dyshimtë’, vdekjen e regjisores së njohur kosovare, Burbuqe Berisha.
Në raportin 24 orësh të policisë janë dhënë disa detaje rreth vdekjes së Berishës, e cila në momentet e fundit të jetës ndodhej në Ministrinë e Kulturës.
Sipas njoftimit, vdekjen e Burbuqes e ka konstatuar mjeku kujdestar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në IML për autopsi.
“VDEKJE E DYSHUAR. Viktima femër kosovare është gjetur pa shenja jete në zyrën e saj në Ministrinë e Kulturës. Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për autopsi”, thuhet në njoftim.
Varrimi i regjisores do bëhet gjatë ditës së sotme në varrezat e qytetit në Prishtinë.
Burbuqe Berisha u nda nga jeta në moshën 51-vjeçare në ambientet e Ministrisë së Kulturës, ku ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës.
Vdekja e saj ka tronditur të gjithë komunitetin e artistëve në të dy anët e kufirit, ku nuk kanë munguar homazhet e shumta edhe nga personalitetet e njohura të ekranit e artit në Tiranë.