Arben Malaj, ish-ministër i Financave, ka kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama dhe mënyrën se si qeveria socialiste realizoi reformën territoriale.
Në një intervistë televizive, ish-ministri socialist tha se reforma, në vend që të fuqizonte qeverisjen vendore, e ka dobësuar demokracinë lokale, pasi është hartuar mbi bazën e interesave elektorale.
Të lidhura
None found
Malaj argumentoi se kalimi i kompetencave drejt pushtetit qendror ka cenuar autonominë e bashkive dhe ka goditur drejtpërdrejt parimin europian të subsidiaritetit.
Sipas tij, mënyra aktuale e qeverisjes është thellësisht e centralizuar, ndërsa ekzekutivi ka shpërfillur orientimet kryesore të partnerëve ndërkombëtarë.
Ai deklaroi se qeveria nuk ka marrë parasysh rekomandimet e Bashkimit Europian lidhur me decentralizimin, investimet dhe transparencën, duke e shndërruar pushtetin vendor në një shtojcë të ekzekutivit qendror.
Intervista:
Malaj: Në analizat tona si studiues kemi vënë në dukje deficitin demokratik, që lidhet me heqjen e mundësisë për të votuar drejtpërdrejt drejtuesit dhe për të ndikuar në vendimet e rëndësishme për zhvillimin e komunitetit. Numri i bashkive po reduktohet gjithnjë e më shumë, ndërsa është krijuar koncepti i qytetit si një lloj njësie e ndërmjetme, drejtuesi i së cilës do të jetë nënkryetar bashkie, siç thotë reformatori i madh i PS-së. Por, bazuar në të gjitha përvojat dhe përkufizimet, nënkryetari zgjidhet nga kryetari dhe nuk është e nevojshme të marrë miratimin e këshillit. Kjo do të thotë se ai do të jetë nëpunës i kryetarit, pa pasur autoritetin që buron nga vota e banorëve të zonës që do të drejtojë. Ky është elementi i parë dhe më i rëndësishëm.
Malaj: Së dyti, demokracia vendore europiane mbështetet te parimi i subsidiaritetit. Pra, për çështjet e një zone duhet të përgjigjet drejtuesi i zgjedhur nga vetë banorët e saj. Unë nuk përdor termin “njësi administrative”, sepse ai përfaqëson vetëm burokraci. Ndërsa nocionet komunë dhe qytet duhet të kenë në themel demokracinë lokale, e cila vlerësohet si gjaku i demokracisë vendore.
Malaj: Nëse një njësi, komunë apo qytet, për arsye të ndryshme, nuk arrin të përmbushë detyrimet ndaj banorëve, atëherë ndërhyn menjëherë qeveria qendrore. Kur situata rëndohet më tej, përfshihet Bashkimi Europian. Dua të sjell në vëmendje krizën e mbetjeve në Napoli.
Malaj: Bashkia e Napolit nuk mundi ta menaxhonte situatën, ndaj ndërhyri qeveria e Berluskonit dhe iu kërkua ndihmë Bashkimit Europian. Këto çështje nuk janë sqaruar, sepse vëmendja është përqendruar vetëm te shifrat. Megjithatë, organizimi territorial prek elemente thelbësore si demokracia, vetëqeverisja, decentralizimi dhe autonomia financiare.
Malaj: Në këtë reformë nuk gjendet asnjë element që të zgjerojë demokracinë vendore, të forcojë qeverisjen me pjesëmarrje apo të shtojë autonominë financiare, krahas shumë aspekteve të tjera. Autonomia financiare nuk rritet thjesht duke u bashkuar me një qytet të madh, duke humbur ndërkohë të gjithë konceptin e qeverisjes demokratike dhe duke bërë që të ardhurat të mblidhen nga një bashki e më pas t’i kalojnë një komune që, në rastin konkret… Unë kam shumë besim te kryetarët e komunave, pavarësisht nëse i përkasin Partisë Socialiste apo partive të tjera. Pashë rastin e Bashkisë së Patosit, e cila kishte një koeficient…
Pyetje: Të… si të thuash, të mirëqeverisjes së saj.
Malaj: Po, 71.4%, ndërkohë që të gjitha të tjerat e kishin më të ulët. Në këtë pikë, mendoj se kemi të bëjmë me atë që Rama dhe Balla kanë përsëritur: herën tjetër do t’i fitojmë të 61 bashkitë. Tani kjo bëhet më e thjeshtë, sepse numri zbret në 46. Në thelb, pra, reforma është antidemokratike. Shifrat janë përdorur, ndërsa statistikat janë keqpërdorur vetëm për të mbuluar thelbin e saj.
Pyetje: Sipas jush, kjo ndarje është pra një përllogaritje elektorale?
Malaj: Plotësisht. Këtë e kam deklaruar shumë kohë më parë, që në nisje të reformës. Pyetja që kam ngritur ka qenë nëse kjo reformë e vret apo e forcon demokracinë vendore. Përfundimi është se ajo e vret dhe nuk e fuqizon.
Pyetje: Por sa e dëshirojmë realisht këtë demokraci vendore, zoti Malaj? Kam përshtypjen se pushteti qendror në Shqipëri, veçanërisht nën drejtimin e zotit Rama që prej vitit 2013, nuk ka treguar asnjë gatishmëri për të deleguar kompetenca. Ndoshta në parim e pranon atë që kërkon BE-ja, por duket nëse ekziston apo jo vullneti për këtë…
Malaj: Vullneti mungon tërësisht dhe bëtë mirë që e lidhët çështjen me Bashkimin Europian. Duhet ta shohim problemin në një këndvështrim më të gjerë dhe jo vetëm si debat për numrin e bashkive. A nuk u bë e qartë në shkurt se kishte shumë vlerësime pozitive për qeverinë shqiptare, të cilat në realitet nuk qëndronin? A nuk reaguan institucionet europiane ndaj raportit të parë dhe a nuk u deshën dy-tre muaj për të miratuar raportin e dytë, i cili përmbante detyrime strikte? A nuk u kërkua anulimi i investitorëve strategjikë?
Malaj: Rama vijon ta keqpërdorë këtë proces, duke dhënë edhe koncesione nafte që gjatë kësaj periudhe do t’u kushtojnë shqiptarëve një barrë të rëndë prej disa qindra milionë eurosh. A nuk u kërkua rishikimi i ndryshimeve të vitit 2014 për zonat e mbrojtura? Çfarë bëri Rama? Veproi në të kundërt. A nuk iu kërkua që, nëse bashkohet me Amerikën dhe Bashkimin Europian, të krijojë një mjedis konkurrues për investimet e huaja direkte? Ne gjithçka e kemi me dekrete mbretërore, kryeministrore.
Malaj: Investitorin strategjik e zgjedh vetë ai, më pas i kërkon të plotësojë dokumentet dhe në fund ia paraqet Shqipërisë. Çfarë procedure është kjo? Si do të përgjigjet tani Rama për madhështinë e lavdishme të projektit të Durrësit, me të cilin mbushi të gjitha televizionet, ku fliste më shumë ai sesa investitori strategjik? Kush do t’i thotë tani se ka gabuar? Çfarë do të ndodhë me ato qindra-mijëra që kanë kryer parapagesa? Sepse po na përsëriten ngjarjet e ’97-ës, kur, sapo kuptohet se ata që mbajnë paratë e shqiptarëve janë të pashoq, shqiptarët futen akoma…
