Raporti i OSBE/ODIHR, reagon kreu i KQZ-së: Qeveria dhe opozita të adresojnë problematikat dhe vërejtjet

Kryekomisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka reaguar mbi raportin e OSBE/ODIHR për zhvillimin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Duke u ndalur tek vlerësimet e administrimit zgjedhor nga KQZ, Celibashi shkruan në rrjete sociale se ato përbëjnë shtysë për përmirësimin e mëtejshëm.

Ai i bën thirrje opozitës dhe qeverisë që vërejtjet dhe rekomandimet në këtë raport, të adresohen sa më parë.

“Vlerësimet shumë pozitive për administrimin e procesit zgjedhor nga KQZ në raportin përfundimtar OSBE/ODIHR janë shtysë në përmirësimin e mëtejshëm të këtij aspekti. KQZ nxit qeverinë dhe opozitën që vërejtjet dhe rekomandimet e këtij raporti të adresohen sa më parë plotësisht. Konsiderimi i ekspertizës dhe gjetjeve të KQZ-së në ndryshimet e mundshme ligjore është me dobi për procesin e reformës të rekomanduar nga OSBE/ODIHR” – shkruan Celibashi në Tëitter.

Dy ditë më parë, OSBE/ODIHR publikoi raportin final të zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri. Në dokumentin 36 faqësh renditen një sërë çështjesh dhe problematikash duke filluar që nga përdorimi i administratës publike në funksion të fushatës, shitblerjen e votës apo dhe patronazhistët dhe publikimin e të dhënave personale të 900 mijë qytetarëve duke përfshirë dhe preferencat politike.

Në raport u bëhet thirrje institucioneve përgjegjëse për të ndërmarrë masat e nevojshme për çdo shkelje të konstatuar. Gjithashtu, OSBE/ODIHR ka renditur një sërë rekomandimesh për të përmirësuar procesin për zgjedhjet e ardhshme.


Shtuar 28.07.2021 16:31