Rama vazhdon “talljen me shqiptarët”: Faleminderit patronazhistëve!

Partia Socialiste pasditen e sotme në orën 18:00 zhvillon te Sheshi Skënderbej mbylljen e fushatës në Tiranë.  Përmes një mesazhi në Facebook Kryeministri Rama falënderon të gjjithë ata që ai i quan “patronazhistë”, pasi sipas tij çdo trokitje e tyre në derë është trokitje në derën e së ardhmes.

“Faleminderit patronazhistëve tanë dhe forca, derë më derë, çdo trokitje e juaja për 12-ën e pavarësisë, 12-ën e lindjes së Partisë Socialiste, 12-ën e yjeve të flamurit të Evropës, 12-ën e aritmetikës korrekte (4×3=12) është një trokitje në derën e të ardhmes

Asnjë frikë, asnjë ngurrim, asnjë luhatje prej atyre që kanë kapur alltiet e marrëzisë që të ndalin të pandalshmen, ngjitjen e Shqipërisë në majën ku Zoti i deshi shqiptarët kur e bekoi këtë vend të vogël me dy dete, plot lumenj e liqene, maja me dëborë e fusha me diell gjatë krejt vitit.

Përpara me të gjithë forcën e dashurisë për gjyshet e gjyshërit, prindërit e fëmijët dhe për këtë vend ku duhet të lemë gjurmën e krenarisë sonë për emrin shqiptar.

Shihemi sonte, në orën 6, tek sheshi i Skënderbeut, këtu në Tiranë dhe jo shi, po gurë të bien nga qielli, t’i tregojmë mbarë Shqipërisë forcën e karakterit e të pasionit tonë për Shqipërinë”, shkruan Rama. /albeu.com/

 


Shtuar 22.04.2021 13:18