Rama “thumbon” të arsimuarit: Vetëm unë jam me Bachelor, shqiptarët të gjithë me Master (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama është shprehur sot nga universiteti Bujqësor i Tiranës se shumica e shqiptarëve dynden drejt universiteteve për të marrë diploma, pavarësisht se sa iu vlen.

Rama shtoi se vetë ai është me diplomë Bachelor, ndërsa sipas tij shumica e shqiptarëve me Master.

Rama ndodhej në ambientet e universitetit Bujqësor, pasi në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane,  ky universitet ka marrë një program Doktorature në Bujqësi, Mjedis, Bioteknologj, Agrobiznes dhe Mjekësi Veterinare, i cili synon kualifikimin e mëtejshëm të studentëve ekselentë dhe profesionistëve të rinj.

“Sot për mua është një ditë e shënuar e marrëdhënies me rektorin, në të drejtën e tij ai ishte shumë i shqetësuar disa kohë më parë. qoftë për faktin se ka pasur një rënie për regjistrime në universitetin Bujqësor. Qoftë për faktin e mos hapjes së doktoraturave. Për të dyja kemi pasur diskutime sesi t’ja dalim më mirë.

Në këtë sallë unë duhet të jem i vetmi pa asnjë titull shkencor dhe asnjë statusi akademik. Një Bachelor i thjeshtë jam unë nga e kaluara ime. Megjithëse Evisi thotë se po të konvertohet me të sotmen i bie të jetë Master. Por kjo fjala Master më është bërë tmerr ku të gjithë shqiptarët janë me Master.

Sot hapet një proces doktoraturash i një cilësie të garantuar. Iu jepet mundësia 30 individëve që të zhvillojnë një doktoraturë, e cila të ketë vulën e universiteteve më të mira të fushës në Gjermani, apo vende të tjera të BE. Ky është modeli që duhet të shtrijmë në të gjithë sistemin për doktoraturat. Nuk duhet të japim doktoratura lokale. Nuk duhet të kemi as universitete lokale”, tha Rama./albeu.com/


Shtuar 28.01.2022 12:12