Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me mësues dhe prindër njoftoi këtë të shtunë dhe mbylljen e rrjetit social “TikTok” në vendin tonë.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se kjo platformë nuk do të jetë e aksesueshme për vendin tonë përgjatë një periudhe kohore prej një viti.
Kjo masë drastike e qeverisë Rama është marrë pas ngjarjes së ndodhur jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku 14-vjeçari Martin Cani, u vra me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj.
Ndërkohë, Abc News raporton se TikTok në një përgjigje me email të shtunën ka kërkuar qartësi urgjente nga qeveria shqiptare për rastin e Martin Canit.
Kompania ka thënë se: “nuk kishte gjetur asnjë provë që autori ose viktima të kishte llogari TikTok dhe raportet e shumta në fakt kanë konfirmuar se videot që çuan në këtë incident po postoheshin në një platformë tjetër, jo në TikTok”.