Këtë të hënë, përmes një video të publikuar në llogarinë e tij në “Facebook”, kryeministri i vendit Edi Rama, ka ndarë pamje nga Lumi i Shalës, i përshkruar nga shumë turistë të huaj si Tajlanda e Shqipërisë.
“Pamje nga peizazhet që Lumi i Shalës krijon në zonën e Shoshit të Dukagjinit, një spektakël i ngjyrave dhe i relievit, por edhe një atraksion turistik për të cilin flasin të gjithë”, shkruan Rama krahas videos së publikuar.
Lumi i Shalës buron në Parkun Kombëtar të Thethit dhe përshkon luginën e Shalës për rreth 25 km, duke u derdhur në liqenin e Komanit.
Vitet e fundit ky liqen, është kthyer në një prej destinacioneve më të frekuentuar në Veriun e Shqipërisë.
Aventurierët e natyrës mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës.