Rama ia ngarkon opozitës plagosjen në Kavajë: Ishte zënkë ordinere, Basha po përpiqet të përfitojë

Kryeministri, Edi Rama gjatë intervistës në Euronews, ka reaguar edhe lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmë në Kavajë ku pati një plagosje brenda zyrës elektorale të PD-së, duke akuzuar opozitën se po përpiqet të shfrytëzojë një ngjarje banale për të përfituar.

“Ngjarja në Kavajë ishte zënkë ordinere dhe nuk kishte asnjë lidhje me asnjë komponentë të fushatës elektorale dhe u shfrytëzua direkt nga PD siç ka ndodhur gjithmonë. Këtë herë nuk ishte Sali Berisha, por Lulzim Basha që është një kukull dhe pastaj doli dhe Ilir Meta që foli si prokuror”, tha z. Rama.

Kryeministri shtoi më tej se situatat e tensionuara po krijohen kryesisht nga LSI që sipas tij do të marrë një rezultat shumë të dobët në zgjedhjet e 25 prillit.

Rolin e Bashës në këto zgjedhje por edhe si lider të opozitës, z. Rama e cilësoi “bedel”, një term që në gjuhën shqipe përdoret për të treguar atë që shkonte në vend të një tjetri në ushtri ose në punë të detyruar kundrejt një pagese.

 


Shtuar 20.04.2021 21:32