“Rama i shastisur nga lajmet për Olsin”, Berisha: Urdhëroi Dumanin e tij të presë ca koka turku që shqiptarët të merren me Qaton

Ditën e sotme, kreu i grupit parlamentar të PD-së, njëherësh nënkryetari i Rithemelimit, Gazment Bardhi i bëri thirrje kreut të SPAK, Altin Dumani që të rihapë dosjen e Xibrakës.

Bardhi shprehet se pjesëtari i organizatës kriminale në Xibrakë, që është i paidentifikuar, është Olsi Rama.

Kjo, sepse në dosje është një 45-vjeçar, që ngjan me Olsi Ramën dhe ai ka përdorur të njëjtën makinë me trafikantët e që nuk është identifikuar nga policia.

“Të hapet sërish dosja Xibraka, të hetohet roli i Olsi Ramës për laboratorin e drogës. I drejtohem kreut të SPAK Altin Dumani, prova është dosja. Ndërsa për Edi Ramën kam një pyetje se përse krerët e organizatës kriminale përdorën me Olsi Ramën të njëjtën makinë”, tha Bardhi.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar mbrëmjen e sotme 9 urdhër-arrestet e lëshuara nga SPAK, të cilat i lidh me denoncimin e Bardhit.

Sipas Berishës, Rama urdhëroi kreun e SPAK, Dumanin, “të presë ca koka turku që shqiptarët të merren me Qaton”.

Sali Berisha: Sonte, ka ngritur në këmbë polici dhe spiunë. Por shqiptarët do e shohin se kush është Edi Rama, se ç’përfaqëson klani Rama, se ç’përfaqëson drejtësia e tij. Shqiptarët me dokumente do shohin se pushteti i tyre nisi me drogën dhe do sosë me drogën gjer në përmbysjen e ardhshme.

Të dashur miq, i shastisur nga lajmet e drogës, në të cilat dosje hetimore faktonte se njeriu i paidentifikuar, 45-vjeçari me flokë të shkurtra dhe surrat Olsi, ishte vëllai i tij, urdhëroi Dumanin e tij të presë ca koka turku në mënyrë që publiku shqiptar të mos përqendrohen tek Olsi sonte, por të merren me Qaton dhe stër-Qaton.

Të dashur miq, fatkeqësitë këtij kombi dhe asnjë kombi tjetër, nuk i vijnë nga poshtë lart, por i vijnë nga lart poshtë. Fatkeqësitë nuk vijnë nga qytetarët, por vijnë nga pushtetarët hajdutë. Nga pushtetarë që vjedhin dhe i shtypin. Kjo është historia.

Me kërkesë të SPAK, GJKKO firmosi sot 9 masa sigurie, mes tyre për ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës. Nga 9 masa sigurie, 3 prej tyre janë arrest në burg, ndërsa 6 të tjerat janë detyrim paraqitje.

Mësohet se është firmosur masa  “arrest burg” ndaj Mariglen Qato, ish-drejtor i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës dhe ish-drejtorin e UKT-së Redi Molla. SPAK ka kërkuar masë të dytë sigurie “arrest me burg” edhe për Taulant Tusha, ish-drejtor i Punëve Publike – Bashkia e Tiranës./albeu.com


Shtuar 28.03.2024 20:04