Rama e ftoi publikisht, Basha i prerë: Bashkëqeverisje? Kurrë!

Në një intervistë për emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, kryedemokrati Lulzim Basha tregoi planin e tij në 100 ditët e para të qeverisjes, nëse fiton zgjedhjet e 25 prillit.

Basha tha se theksi kryesor do të jetë ekonomia, familjet në nevojë, rindërtimi dhe pandemia.

“Ekonomia do të jetë theksi kryesor, brenda javës së parë do të merren vendime, që do ta rikthejnë rritjen ekonomie si prioritet, duke ulur taksat, me taksën e sheshtë 9%, me tavanin, uljen e çmimit të naftës, heqjen e vargonëve fiskalë.

Me planin tonë do të ketë çlirim të energjive pozitive të shqiptarëve. Prioritet do të jenë dhe njerëzit në nevojë, ata që janë hequr nga ndihma ekonomike, do iu dyfishohet ndihma ekonomik.

Do të bëhet transparent rindërtimi, që do të bëhet në pronat e tyre, dhe çdo banesë do i takojë banorit. Do të ketë një paketë të menjëhershme ndihme për familjet që janë zhytur në borxh për të kuruar njerëzit e tyre nga Covid-i, një paketë për biznesin e vogël, që ‘ti japim fund mbylljes së biznesit.

Sa i përket, BE, pa pikë diskutimi, brenda 100 ditëve të para, hapja e negociatave, duke i përmbushur të 15 kushteve, që janë kulari i fundit që Rama dhe qeveria e tij vunë në fytin e shqiptarëve. Përsëris edhe njëherë zotimin tim që 15 kushtet do të plotësohen dhe Shqipëria do të hapë negociatat”, tha Basha.

Po nëse nuk fitoni më 25 prill?

Më 25 prill Shqipëria do të fitojë, PD do të fitojë. Fitorja do të jetë ndër më të thellat, pjesëmarrja do të jetë masive.

Po nëse PD nuk del forcë e parë?

PD, koalicioni për ndryshim dhe aleanca për ndryshim janë fituesit e padiskutueshëm të këtyre zgjedhjeve. Këtë e di dhe Edi Rama, që kohët e fundit ka filluar tentativat për të hapur ndonjë deriçkë për t’u bërë pjesë e qeverisjes. Nuk ka asnjë shans që ai të jetë pjesë e qeverisjes. Nuk ekziston asnjë skenar që Shqipëria do të humbasë më 25 prill. Rama e di që do të humbasë. Pjesëmarrja do të jetë më masivja, procesi po ashtu, dhe fitorja do të jetë e thellë.Si e komentoi ftesën e Ramës për t’u bashkuar, me kushtin që të mos jetë Meta e Berisha pas jush?

Pas 8 vitesh premtime të pambajtura, kjo kthesë e beftë e Ramës nuk është gjë tjetër veçse pranimi i humbjes së tij. Edi Rama nuk do të jetë kurrë pjesë e bashkëqeverisjes sonë. Ne do të qeverisim vendin.

A po kërkon Rama të bëjë diversion mes PD e LSI me këto deklarata?

E gjithë vëmendja jon është te shqiptarët, deklaratat e tij tregojnë se e ka humbur toruan. Ne e dimë çfarë rrënojash po lë pas Edi Rama. Na presin punë të mëdha, që do t’i kryejmë me bashkimin më të madh të shqiptarëve.

Nuk ka 17 maj të dytë?

25 prilli është dita e fitores së të gjithë shqiptarëve, dita kur ata do të marrin fatin e tyre në dorë. Thirrja ime është që asnjë të mos rri në shtëpi. /BW


Shtuar 22.04.2021 20:45